Kryetari i PS Tiranë Ervin Bushati, që është renditet i treti në listën e kandidatëve për deputetë në radhët e Partisë Socialiste në Tiranë, për zgjedhjet e 25 Prillit, deklaroi sot se Basha do humbi në njësinë e tij.

Në një intervistë televizive, Ervin Bushati e quan privilegj, por edhe sfidë të trefishtë me shoqërinë që të përfaqësojë qarkun më të madh të Shqipërisë. “Si Kryetar i Partisë Socialiste Tiranë unë e quaj privilegj, nder dhe sfidë të përfaqësoj qarkun më të madh të Shqipërisë. PS ka qenë gjithmonë forcë e parë në Tiranë dhe ne kemi vendosur një standard me veten, kemi marrë 18 mandate në zgjedhjet e kaluara dhe nuk mund të biem poshtë këtij numri. Aq më tepër që kemi një përgjegjësi të trefishtë. Partia Socialiste është partia më e madhe në vend, është mazhorancë sot dhe PS patjetër që në këto kohë pandemie dhe pas tërmetit ka një sfidë të madhe me shoqërinë.”, tha ai

Angazhimin në politikë Bushati e konsideron punën e ëndrrave të tij. “Jam diplomuar në SHBA, pasi u ktheva në Shqipëri mendova të merrja pjesë në politikë dhe të jepja sadopak atë vizionin kontributin tim pranë PS. Kam 15 vite në Partinë Socialiste, ky është mandati i tretë si deputet dhe mendoj që kam një sfidë, përgjegjësi dhe privilegj. Është edhe puna e ëndrrave të mija. Jam me të vërtetë krenar për PS, vendin dhe gjithçka që po mundemi të bëjmë bashkë si shoqëri”, shprehet Bushati.

Sa i përket kundërshtarit politik, Kryetari i PS Tiranë Ervin Bushati nuk e kursen ironinë duke theksuar se Basha tani që është kryetar i PD humbet edhe në njësinë e vet.

“Njësia nr.8 ka qenë një njësi ku Partia Demokratike zakonisht fitonte para se të ishte z.Basha kryetar. Tani që është Basha kryetar i PD humbet edhe në njësinë e vet. Në fakt nëse do të ishin disa gjëra që mendoj se i bën mirë është që kujdeset mirë për veten. Jemi pak a shumë e njëjta moshë dhe Basha nuk ka asnjë thinjë në flokë merret mirë me veten. Kjo më bën të mendoj se të gjithë duhet të kujdesemi pak më shumë me veten. Basha zgjohet pak më vonë, është më i qetë, pret radhën. Këto janë virtytet e një njeriu në opozitë që mendoj se i shkojnë.”, thekson ai.