Austria është e interesuar për vaksinat e bëra në Kinë dhe Rusi, konfirmoi të premten kancelari austriak, Sebastian Kurz duke thënë se bisedimet ishin duke u zhvilluar me disa prodhues, ndërsa numri i rasteve në vend vazhdon të rritet.
“Nëse Agjencia Europiane e Barnave (EMA) miraton vaksinën ruse të koronavirusit Sputnik V, kjo natyrshëm do të ishte një opsion për shumë vende europiane, përfshirë Austrinë”, tha kancelari Sebastian Kurz.
EMA po fillon një procedurë të shpejtë për të rishikuar vaksinën ruse. Austria është gjithashtu në një aleancë me Danimarkën dhe Izraelin për bashkëpunimin në fushën e prodhimit të një vaksine, me qëllim përshpejtimin e zinxhirit të furnizimit të vaksinave.
Kurz tha se nuk ishte i befasuar që numri i rasteve në Austri po vazhdonte të rritej. Vendi njoftoi 2 668 infeksione të reja në 24 orët e fundit. Numri i rasteve të reja për 100 000 banorë në shtatë ditë është rreth 170. Më 8 shkurt, vendi rihapi të gjitha dyqanet dhe shumë ofrues të shërbimeve, në një lehtësim që do të shoqërohej nga miliona teste të shpejta.