Një dialogim audio i publikuar në media të premten, mes një vajze nga PD dhe një të riu të rastësishëm, ishte një tjetër tregues i krizës komunikative dhe ligjërimore në PD. Ishte një bisedë që gjithashtu nxirrte në pah sa joserioze, deri dhe primitive, është qasja e PD-së në rrekjen për të ardhur në pushtet.

Një njeri që zgjidhet të komunikojë me persona të panjohur, për t’ju vjelur atyre qëndrime politike, në biseda të zhvilluara në telefon, duhet të jetë një mjeshtër i komunikimit në të gjithë kuptimet, një mendje virtuoze, një zë e mençuri imponuese, për t’ju bërë ballë shumë të papriturave që mund të dalin gjatë kontakteve me lloj-lloj tipologjish e gjuhësh njerëzore.

Nuk dihet se cila është ajo vajzë apo çupërlinë që bisedonte me një të ri, pasi e kishte kontaktuar në telefon, me metodën e shortit, për të marrë opinione se ç’krah politik mbanin apo si e gjykonin qeverinë e PD-në, qartazi në një fushatë mbledhjeje sensibilitetesh politike në trajtë sondazhi të brendshëm.

I riu qëlloi të ishte një talent për të të xhiruar, siç dhe e xhiroi vajzën e PD-së për mbi 5 minuta bisedë.

Në titullin i bisedës, zgjedhur nga media që e publikoi atë, i mëshohej llojit të përgjigjes së djalit, ku në fakt duhej t’i mëshohej gafilitetit dhe horlladisjes së vajzës, e cila cilësohej si koordinatore në lajm.

E gjithë biseda mes tyre qe një spektakël, diktuar nga djali, i cili arriti të nxjerrë në pah diferencën mes mençurisë që gjendet në popull dhe profanizmit të opozitës në mënyrën se si ka zgjedhur ta ndërtojë ligjërimin publik.

Ironia e lehtë e djalit, si dhe lloji i pyetjeve sfiduese që ia bënte vajzës, e cila duhet thënë se aty përfaqësonte vetë Bashën, duhet të jetë një alarm në PD.

Aty nuk po kuptohet një gjë thelbësore, paçka këshilltarëve të marrë dhe nga jashtë, nga Izraeli siç përflitet, se nuk mund ta sfidosh kundërshtarin apo ta fitosh zemrën e publikun me ligjërime të parafabrikuara, duke mbetur në gjykime parazitare politike, e në fund duke i marrë njerëzit për leshko. (tesheshi)