Partizani fitoi 1-2 derbin kundër Tiranës, duke i mundur kampionët në fuqi për herë të dytë në këtë sezon. Trajneri i “Demave”, Ilir Daja analizoi për Supersport fitoren e sotme, paraqitjen e djemve të tij, teksa ndalet edhe te gara e fortë për titullin kampion.

“Pas 2-3 rezultateve jo pozitive, vijmë te një ndeshje kyçe, pasi është ndeshja më e fortë e kampionatit shqiptar. Në derbi ka rëndësi fitorja e ndeshjes. Ishim në superioritet përveç 10 minuta: dominuam në qarkullim topi dhe raste të krijuara. Kishim gjatë gjithë kohës ekuilibër.

Sot kishim zgjedhur një mënyrë tjetër për ta interpretuar lojën, edhe në bazë të kundërshtarit. Na rezultoi pozitive, sepse sot lojtarët kanë qenë më shumë të përqendruar për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe për të mbajtur ekipin në bllok. Nuk është merita jonë, është e lojtarëve, ne na kanë suport gjithmonë”, u shpreh Daja.

Ndërsa, trajneri i Tiranës Orges Shehi deklaroi:

“Është humbje që djeg, për mënyrën se si e morëm. Nuk e merituam, edhe pse mund të interpretonim më mirë. Janë ndeshje që vendosen nga detajet, nuk kishim përqendrim dhe e pësuam nga 2-3 episode. Ishim të karikuar, madje në disa momente e kaluam cakun. Duhet të shënosh kur ke raste dhe ne nuk i shfrytëzuam në pjesën e dytë. Kur nuk e bën e pëson”, u shpreh Shehi.