I ngarkuari i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, deklaroi sot se BE pret vazhdimin e dialogut mes dy vendeve. Përmes një postim në ‘Twitter’, Lajçak shkruan se para largimit nga Prishtina, ai ka informuar shtetet e BE-së për vizitën e zhvilluar në Kosovë.
“Para se të largohesha nga Prishtina sot, unë informova shtetet anëtare të BE-së për vizitën time. Ne ramë dakord që dialogu është i një rëndësie të veçantë për aspiratat evropiane të Kosovës dhe Serbisë dhe BE pret vazhdimin e tij”, shkruan Lajçak. Gjatë kësaj vizite, Miroslav Lajçak informoi fituesin e zgjedhjeve, presidentin e Vetëvendosjes Albin Kurti, mbi progresin e bërë në dialogun Prishtinë-Beograd që nga rifillimi i tij në korrik të vitit 2020.