Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu takoi nga afër disa prej të moshuarve që morën vaksinën në Sheshimn Skënderbej dhe i këshilloi ata të bëjnë shumë kujdes pasi duhen disa javë deri në arritjen e imunitetit.

Ministrja u takua edhe me një zonjë e cila ditën e sotme feston përvjetorin e lindjes dhe pikërisht në këtë ditë ka zgjedhur të marrë vaksinën. Ajo përshëndeti nga kamerat fëmijët e saj jashtë shtetit dhe në atë moment u përlot.

“Unë sot kam datëlindjen dhe do bëj vaksinën. Jam shumë e kënqur, Ishalla më dëgjojnë kalamajtë i kam në Amerikë dhe Kanada”, u shpreh ajo.

Manastirliu u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të lidhen me mjekun e familjes në mënyrë që të mësojnë se kur do të jetë radha e tyre për të marrë vaksinën anti-Covid. Manastirliu tha se mund të bëjnë edhe kërkesë në E-Albania.“Procesi i vaksinimit ka nisur normalisht. Do ta përfundojmë këtë betejë. Po vijojmë me synimin për të arritur vaksinimet që kemi vënë synim. Duhet të theksoj se të gjithë qytetarët që duhet të vaksinohen dhe duan të dinë se kur u vjen radha për tu vaksinuar, duhet të lidhen me mjekun familjar ose të bëjnë një regjistrim në E-Albania. Procesi po monitorohet dhe për efektet anësore. Ne e dinim që do të vinte shumë shpejt dita që do të arrinim këtu. Që në momentin e nisjes së pandemisë, kemi ecur me planin e veprimit, me strategji. kemi kapacitete për të arritur deri në 15 mijë të vaksinuar në ditë, në varësi të vaksinës, do ta rrisim numrin,”- tha Manastirliu.