Në Shkodër po vijon me ritme të larta procesi i vaksinimit masiv për të moshuarit mbi 70-vjeç. Në qytetin e Shkodrës procesi i vaksinimit ka nisur që prej 16 shkurtit dhe po vijon pa u ndalur.

Prej ditës së djeshme në këtë qendër janë vaksinuar 1120 persona, 900 ditën e djeshme dhe 220 gjatë paradites së sotme. Farie Dibra, e moshuara që mori sot vaksinën antikovid tha për ATSH-në se, “shkova në ambulancën e lagjes dhe nga mjeku i familjes u informova. Ai me adresoi në këtë qendër”, Ajo apelon edhe qytetarët e tjerë të pranojnë të vaksinohen, pasi siç shprehet ajo, virusi është mes nesh. Ndue Vata, një tjetër qytetar që u vaksinua tha për ATSH-në se ishte informuar nga mjeku i familjes për t’u paraqitur për të marrë vaksinën.

“Kam besim te vaksina dhe vlerësoj angazhimin e qeverisë për të bërë të mundur vaksinimin e popullatës”, tha ai. “Procesi i vaksinimit ka nisur që prej datës 16 shkurt dhe po vijon çdo ditë. Kemi vaksinuar personelin shëndetësor të Rajonit, që përfshin Tropojën, Shkodrën, Pukën, Kukësin, Malësinë e Madhe, Hasin dhe Kurbinin”, tha për ATSH-në kryevaksinatori i Rajonit të Veriut, Arben Xhabija.

Sipas tij, deri tani ka përfunduar vaksinimi i personelit shëndetësor dhe aktualisht po vijohet me vaksinimin e qytetarëve mbi 70-vjeç, arsimtarët dhe pedagogët. “Qytetarët e moshës 70-80 vjeç informohen nga mjeku i familjes dhe paraqiten pranë qendrës së vaksinimit, ndërsa qytetarët mbi 80 vjeç vaksinohen pranë qendrës së tyre shëndetësore”, tha Xhabija. Ai bën të ditur që të gjitha qendrat shëndetësore kanë bazën materiale dhe termobokset në mënyrë që vaksinimi të shkojë sa më mirë.

Deri tani, vuri në dukje ai, ka patur vetëm efekte anësore të lehta, si skuqje, dhimbje krahu, temperaturë e lehtë apo dhimbje koke. Në këtë qendër vaksinimi janë ngritur tre stenda vaksinimi të cilat po punojnë paralelisht. Ndërkohë janë krijuar të gjitha kushtet që qytetarët që paraqiten për t’u vaksinuar të mund të zbatojnë protokollet e parandalimit të përhapjes së COVID-19, miratuar nga autoritetet. Qytetarët që paraqiten për t’u vaksinuar fillimisht plotësojnë protokollin e miratuar për vaksinime dhe pasi firmosin me vullnetin e tyre i nënshtrohen këtij procesi. Dje në ditën e dytë të vaksinimit u kryen 20.414 vaksinime, në të gjithë vendin./ATSH