Një pjesë e madhe e shteteve evropiane kanë vendosur të pezullojnë përkohësisht përdorimin e vaksinës së AstraZeneca, pas dyshimeve të raportuara për mpiksje gjaku.

Mjeku shqiptar, i cili punon në Mbretërinë e Bashkuar, Laidon Shapo, tha për Euronews Albania se nga të dhënat e siguruara deri tani nuk raportohet asnjë rast i mpiksjes së gjakut.

Ai shtoi se nga 17 milionë doza të injektuara në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Evropë me vaksinën e AtsraZeneca tregojnë se ajo është e sigurt dhe efektive kundër Covid-19.

“Nga të dhënat, që janë siguruar si nga AstraZeneca që është një gjigant farmaceutik britaniko-suedez, është vënë re se nga 17 milionë doza që janë bërë, 11 në Britaninë e Madhe dhe rreth 6 milionë vaksina në Europë është parë që kjo vaksinë është treguar efektive dhe shumë e sigurt”, tha ai.

Mjeku u shpreh gjithashtu se çdo vaksinë ka efekte anësore të lehta dhe të mesme, ndërsa shtoi se nga kontrollet, që ka kryer Enti Rregullator në Mbretërinë e Bashkuar dhe vetë kompania AstraZeneca nuk është raportuar asnjë efekt anësor, me komplikacione të rënda.

“Tani, çfarë ndodh me efektet anësore? Këto efekte anësore janë të lehta, të mesme dhe të rënda. Të lehtat nuk futen në hesap sepse janë të pritshme, edhe ato të mesme janë të pritshme, por ato së bashku me efekte anësorë të rëndë, ku futen edhe mpiksja e gjakut, të gjitha këto nga Britania e Madhe grumbullohen të dhënat si nga enti rregullator ashtu dhe nga AstraZeneca vetë, dhe është parë që këto lloj efektesh anësore të rënda këtu nuk kanë ndodhur. Kur një vaksinë administrohet në milionë doza, padyshim që do priten efekte anësore”, shtoi ai./Euronews