Nga Dritan Hila/ Tashmë janë bërë vite që Presidenti Meta nuk ruan etikën me diplomatët perëndimorë. I cilëson, i shmang, madje dhe i shpall nongrata. Të kuptohemi, këtë mund ta bëjë vetëm për oborrin e presidencës. Së fundmi e ka ngritur stekën me ambasadën amerikane.
Mesa duket ka synim që të formojë një aleancë nacionaliste, ç’ka duket edhe në termat ku citohet uragani kuq e zi apo sovraniteti. Të ngjashmit e tij në Evropë nuk kanë shkuar kaq larg, jo vetëm sepse nuk kanë ide që Ambasadori Amerikan punon për qejf të vet, por edhe sepse ombrella e mbrojtjes amerikane është e domosdoshme për shtetet e tyre, përballë ariut rus. Gjithsesi kjo është sipërmarrja e tij. Puna është a do ta ndjekin shqiptarët.
Si politikan i vjetër Meta ka të drejtë nëse mendon që shqiptarët nuk janë proamerikanë. Shqiptarët janë proamerikanë aq sa u shkon për mbarë. Kjo deri në brohoritjet dhe urimet për 4 korrikun. Ama po u preke partinë, as që duan t’ia dinë. Shikoni opozitarët si i sulen ambasadës amerikane apo të BE sa herë deklarojnë diçka që nuk ju shkon për hosh: Si të blerë, kurvarë apo injorantë, janë epitetet standard.
Shqiptarët nuk janë as proevropianë. Evropën e duan deri aty ku i lejon të shkojnë në vendet e saj dhe të punojnë. Por as iu bën përshtypje karta e të drejtave të njeriut e të tjera parime mbi të cilat është formuar. Shqiptarët nuk duan t’ia dinë për demokracinë dhe rregullat e saj. Për ta demokracia është një mundësi për të hequr kundërshtarin nga puna dhe t’i zënë vendin. Dhe në funksion të kësaj, një mundësi për të sharë. Shikojeni sjelljen shqiptare në rrjetet sociale. Shumë pak ide dhe një lumë me sharje, fakt që tregojnë mungesën e standardeve të komunikimit social.
Por këto nuk është e thënë të përkthehen në përkrahje për Metën. Sepse nëse ai i futet një kursi përplasjeje me perëndimin, kjo do të thotë kufizim lëvizje, ndihmash, kredish dhe donacionesh. Që do të thotë të prekësh shqipet tek buka. Dhe këtu nuk të falin shqiptarët. Ca më tepër që nacionalizmi i llojit evropian këtu te ne as që ekziston.
Gjithashtu pjesa gri e elektoratit, ajo pjesë që të jep fitoren dhe e cila është më e elaboruar dhe me interesa të lidhura me perëndimin, nuk e pëlqen këtë mënyrë sjelljeje. Ndaj vështirë se Meta mund të ketë nacionalistë nga pas. Militantë të PD dhe LSI që duan vende pune, po. Por këta të sigurojnë qëndrimin në opozitë dhe jo fitoren. Gjithsesi lajmi i mirë është që akoma PD nuk i ka hipur këtij kali. Sa për brirët që ka mprehur Meta me SHBA, kjo është llogari e tij personale. Mbase i ka bërë mirë.