Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi ishte sot qendrën administrative Ndroq, ku zhvilloi disa takime me fermerët e kësaj zone për të parë nga afër punën e jashtëzakonshme që bëjnë çdo ditë për të siguruar në treg prodhime të freskëta bujqësore për konsumatorin.

“Diskutuam mbi mundësitë që fermerët kanë të për të përfituar nga skema e naftës për bujqësinë dhe çeljes së aplikimit për Skemën Kombëtare 2021”, – tha Ekonomi.

Fermerët e informuan ministren, se kryesisht ata merren me bujqësi me vreshtari dhe ullishte

“Aktualisht merremi me prodhimin e sallatë, serën tjetër e kemi me patate, ndërsa në pjesën tjetër të serës sapo kemi mbjellë domate”- u shpreh një fermer i zonës.

Ai tha se “Gjatë këtij sezoni mbjelljesh kam patur përkrahje nga komuna në drejtim të energjisë elektrike sepse vuanim duke punuar me gjeneratora me naftë, shkonte një kosto shumë e madhe”. Ndërsa, vuri në dukje se, ka ende nevojë akoma, për një mbështetje edhe më të madhe, sepse tregu ka ato vështirësitë e veta.

Duke u ndalur në kontributin që jep ky sektor edhe në angazhimin e forcave të reja në punë, Ekonomi theksoi se “ju punësoni dhe të tjerë, jepni dhe shans punësimi për zonën”.

“Vura re që ju akoma nuk keni bërë aplikimet tek skema e naftës kështu që angazhohem në emër të ministrisë, që të ndihmojmë për të bërë aplikimin, është një procedurë shumë e thjeshtë në fakt”- u shpreh ministrja

Gjithashtu, vijoi ajo, keni nevojë dhe për ndërrim plasmasi.

“Ju keni sipërfaqe të mjaftueshëm, cilësia juaj e serës është e tillë që e përfiton këtë gjë, kështu që jeni gati për të bërë dhe aplikimin për skemat kombëtare që të ndihmojnë në ndërrimin e plasmasit termik”- theksoi Ekonomi.

Ndërsa përsa i takon transportit të produkteve bujqësore nga sera drejt tregut, lajmi i mirë është se me mbështetjen e kryetari të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj po bëhet e mundur ndërtimi i një tregu të ri për shitjen e prodhimeve bujqësore të zonës në Lundër.

“E meriton kjo zonë me njerëz kaq punëtorë. Sepse po ta shikosh është një “Lushnjë e dytë” në prodhimin e serrave”- u shpreh Ekonomi.