Nga Klevis Bakillari/
Gryka e Dëvrisë është porta karstike e vetme për të hyrë në krahinë. Sapo e hap portën e Dëvrisë, në ekranin e syve lëvizin bokërrimat e Tomorricës të radhitura palë-palë porsi fustanellë përfund malit të Tomorit. Krahina e Tomoricës ndodhet në Veri-Lindje të Shqipërisë jugore, në Skrapar.
Shtrirjen gjeografike e ka midis malit Tomor, Qafa e Kulmakut dhe Qafa e Dardhës në perëndim, mali Koshnica, Guri i Prerë, mali Lisec i Bakillarëve dhe Qafa e Gjarpërit në veri, mali Ostrovica në lindje dhe Qafa e Dëvrisë në jug e cila e lidh atë me qytetin e Çorovodës. Kufizohet me rrethet Gramsh , Korçë e Berat. Toka ka një përbërje flishi paleogjenik të përfaqësuar nga argjila dhe materiali ranor, janë toka te murrme pyjore malore. Relievi është i përthyer e valëzuar. Spikat fusha argjilore pjellore e Dumbravës. Hidrografia është e pasur me shumë burime e përrenj. Lugina ka një klimë mesdhetare kodrinoro-malore. Kufiri i kësaj zone klimatike kalon në Dobrenjë, Gurrazezë, Barç i poshtëm, Kuç në krahun e djathtë të luginës e pastaj kalon në fshatrat Mëlovë, Zaloshnje, Gjerbës e deri në Tërrovë në krahun e majtë. Zona e klimës mesdhetare kodrinore, karakterizohet për temperatura mesatare vjetore që shkojnë nga 17 – 19 gradë Celsius. Temperaturat mesatare të janarit lëkunden në kufijtë nga 5 – 7 gradë Celsius, ndërsa ato të muajit korrik variojnë nga 21 – 25 gradë Celsius.
Në Tomoricë shfaqet një i ftohtë që të pretë, që shoqërohet me një erë të fortë. Retë i shtrohen tokës si qilim. Kjo dukuri natyrore quhet nga vendasit “stoçen”. Ky shfaqet në Qafë Pelë të malit të Tomorit, në gjithë Tomoricën, nga Qafa e Gostënckës dhe deri në Nartë të Gramshit, por më i theksuar shpërthen në Gur të Prerë, në Qafën e Gjarprit dhe bllokon për tri-katër ditë fshatrat Postenë, Grevë, Kovaçanj, Straficë e Vishanj. Ndërsa në anën tjetër, në të njëjtat ditë, në krahun e Tomoricës së “bardhë” mund të dalësh e të ngrohesh në diell.
Fauna përfaqësohet nga: lepuri, ujku,dhelpra,ariu i murrmë, kaprolli, dhia e egër,ketri,shqiponja. Flora nga: pisha, ahu, dëllinjë, bredh, panjë, shkozë, plepi,lis.
Ka në përbërje monumentet natyrore me vlera shkencore, peisazhiste e turistike si: Arra e madhe e Zhepës, Bokërrimat e Tomoricës, Bredhi i Kuçit,Morenat e Ujanikut, Cirqet akullnajore të Tomorit,Plepat e Konakut, Pishat e Gurit të Prerë në Grevë, Trasgesioni i paleogjenit të sipërm në Dëvri. Popullsia është bektashiane dhe ka këto objekte kulti: teqeja e Kulmakut e Dervish Iljazit, teqeja e Çerricës,e Kuçit, e Strafickës,Tyrbja e Abaz Ali në majën e Tomori 2416m, tyrbja e Zaloshnjës dhe tyrbja e Brerimës pranë Gjerbësit. Përpara pushtimit osman, besimi ka qënë kristian- orthodoks. Këtë e dëshmojnë një tërësi themele kishash të zbulara nëpër zonë si ajo tek Hija e Veliut (Bakillari) në arat e Planës, Grevë. Tomorica përbën një luginë të
gjerë të përshkruar nga lumi me të njëjtin emër , lumi i Tomoricës. Lumi e ndanë simetrikisht në dy
pjesë: krahë Tomorit formon “Tomoricën e bardhë” ( për arsye të borës dhe gurit të bardhë), dhe pjesa krahë Qafës së Gjarpërit formon “Tomoricën e zezë” për arsye të bokërrimave ranore. Rrethimi nga malet dhe relievi kodrinoro-malor e bën të duket porsi një kështjellë natyrore.
Ka një histori të herëshme e të gjatë qytetërimi e veprimtarish patriotike.
Në zonë janë vërtetuar disa pika arkeologjike të cilat i takojnë periudhës së herëshme të hekurit të shek. XII – V p.e.r. Gjurmë të kësaj periudhe janë
gjetur në fshatrat Strafickë , Çerricë, Përrenjas, Leskovë e Davidh. Ndërkohë vihet re kultura e qytetrimit Ilir që i përkasin shek. V – I p.e.r. Këtë e faktojnë gjetjet në shpellën e Tërrovës dhe kalaja e Vidhanit. Teknika e ndërtimit dhe materialiarkeologjik që gjendet në kala, përbën një
ndërtim të realizuar në
periudhën e antikitetit të vonë .
Tomorica është populluar prej fisit të Desaretëve.
Desaretët ishin një fis ilir, banorë të krahinës Desaretia, që përfshinte pjesën perëndimore të liqenit të Ohrit, Qarkun e Korçës dhe Qarkun e Beratit. Në shek. IV p.e.r. emri ‘desaret’ del në këtë truall në vend të enkelejve. Bëjnë pjesë në mbretërinë Ilire. Vendi i tyre pra Desaretia dhe qyteti më i fortë i kësaj krahine, Pelioni, përmenden në kohën e kryengritjes së mbretit ilir, Klitit kundër Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Në kohën e luftërave Iliro-Romake dhe Maqedono-Romake, dasaretët kaluan herë në varësin maqedone e herë atë të mbretërisë ilire deri sa ranë përfundimisht, në vitin 168 p.e.r. nën sundimin romak. Në vitin 148 p.e.r., Dasaretia u përfshi në provincën romake të Maqedonisë, si një bashkësi (koinon) më vete, me qendër qytetin Lyhnid (Ohri). Në kohën e Dioklecianit, shek. III të e.r. u përfshi nën Provincën e Epirit të Ri. Qytetet tjera të dasaretëve ishin: Antipatrea( Berati), Kodrioni(Irmaj), Krysondiona, Gertundi, Keraka, Bantia, Knidi etj.
Gjithësesi, dyndjet e sllavëve në Ballkan dhe në Shqipëri prekën dhe Tomoricën, duke vendosur dhe lënë shumë toponime që ekzistojnë edhe sot. Shembull është fshati Kirava që u quajt Grevë (do të thotë “vend mes tre trevash”), pasi ndodhet mes Postenës, Kovaçanj e Leskovë që përsëri është emër sllav ashtu si edhe: Tërrovë, Çerricë, Çoro, Dobrenj, Ztraficka etj.
Historiania bizantine e shek. XI-XII, Ana Komnena, përmend e para emrin e një fisniku nga familja Muzaka, i cili rreth vitit 1090 ishte ndër komandantët më të besuar të perandor Aleksi I Komneni. Origjina e familjes ishte nga zona e Oparit, ku Muzakajt kishin zotërimet fillestare të tyre me fshatrat Voskop, Lavdar, Xerje, Bec, Mazrek, Marjan, Dushar, Zerec etj. Kronisti Gjon Muzaka (1510) kujton se varret e të parëve të familjes ndodheshin pranë kishës së Shën Triadhës në Tudas të Oparit. Autoriteti dhe roli politik i Muzakajve dëshmohet qartë që në shek. XIII. Në fund të shek. XIII, duke përfituar nga marrëdhëniet e tyre me pushtetin qendror bizantin, Muzakajt mundën të siguronin prona të shumta në krahinat fqinje të Tomoricës, Skraparit, Këlcyrës e Beratit në perëndim dhe në ultësirën e Korçës në lindje. Atë kohë Muzakajt afrohen me anzhuinët, që vazhdonin të mbanin Durrësin, dhe nëpërmjet tyre me Papatin, i cili ishte vënë në krye të koalicionit të fuqive evropiane e ballkanike kundër mbretërisë serbe. Në vitin 1319 papa Johanit XXII i njoftuan gatishmërinë e tyre për t’iu bashkuar frontit antiserb shumë fisnikë shqiptarë, mes të cilëve edhe tre vëllezërit Muzakaj, zotër në Këlcyrë. Qëndresa e organizuar nga bujarët Muzaka kundër ekspansionit të serbëve në trevat shqiptare, ende nën sundimin bizantin, u vlerësua edhe nga perandorët e Bizantit, të cilët i shpërblyen ata me pronia të reja e me tituj fisnikërie. Dikur para vitit 1335, i pari i Muzakajve, Andrea II, mori titullin e lartë despot, i cili vinte i dyti, pas atij të perandorit, në shkallën e hierarkisë bizantine. Ndërkohë, pinjollë të Muzakajve vazhduan të qëndronin në poste të rëndësishme në Konstandinopojë, si epistrati Muzaka në vitet 1320.
Gjon Muzaka lë këto kujtime: “Do të doja të shtoja që toka jonë në Tomorricë ka katër baronë të cilët unë i njoh. Një prej tyre ishte Gjini i Bogdanëve që zotëronte Barloisin dhe pesë fshatra të tjerë. Tjetri ishte Bardi Fachiemiri (Bardhi Faqemiri) që zotëronte dy fshatra të tjerë quheshon Bac( Barçi).Më tej ishte dhe Johan i Vosagni (Vishanjit) dhe Duka i Dobrili (Dobrenjës) që zotëronte Guriscit (Gurishta). Me tutje ishte Basa Bilochisi që kishte vetëm Disguimari dhe një tjetër që kishte një fshat ( hamlet) të quajtur Ajdin. Kishte dhe dy të tjerë nga linja e Cervotave. Njëri ishte John Cervota dhe tjetri Martin Cervota. Gjithashtu ishte edhe Balguri (Ballguri) që zotëronte një fshat të quajtur Guerbisi (Gjerbësi) që ishte më e frekuentueshmja e Tomoricës”. Në një fragment tjetër ai shton: ” Bëni kujdes bijtë e mi, se në tokën tonë në Tomoricë ka një hamlet (fshat) të quajtur Orchovë në anën e malit dhe një lum rrjedh e përshkon këtë fshat nga ana tjetër e hamletit. Mes rrjedhës së lumit dhe fshatit ka një përrua, dhe pranë këtij përroi buzë malit, gjendet një minierë ari.Mos e harroni sepse është kjo toka jonë”. Bëhet fjalë për zonën midis fshatit Gurrazezë e Dobrenjë, nën malin Koshnicë! Po sipas shënimeve të Gjon Muzakës, para 500 vjetësh Tomorrica përbëhej prej 80 fshatrash, që përfshinte luginën e lumit Devoll, deri në Maliq të Korçës. Por pas vdekjes së Skënderbeut, shumë familje emigruan në Greqi dhe Itali. Sipas Çabejt, emrat Jerbës (Gjerbës), Barc (Barç), Zhupë (Zhepë) të Kalabrisë e kanë origjinën prej këtej.
Gjatë sundimit osman, krahina e Tomoricës ishte Nahije e ndarë nga Nahija e Skraparit, nën Kazanë e Beratit. Sot krahina përbëhet nga 31 fshatra.
Dëshmohet edhe për një arterie
tregtare në luginën e
Tomorricës. Rruga Egnatia nëpërmje të cilës Venediku transportonte mallra për në Voskopojë, Grebene e Selanik dhe anasjelltas për në Berat.Kjo rrugë tregëtare kalonte djathtas Osumit dhe kishte këto gjurmë : Berat , Vodicë, Karkanjos , Tomor, Qafa e Dardhës, Dunckë, Dobrenjë , Qafa e Gurit të Prerë , Qafa e Kumbullës , Dushar , Protopapë, Voskopojë,Turan, Korçë . Rrugë përmendet në shumë
dokumente mesjetare dhe sot gjendet e paprekur një pjesë e saj në Gurin e Prerë. Në një burim të muajit janar 1700-ës shkruhet: “Banorët e Voskopojës , Vithkuqit e Shipkës ankohen se kur po kalonin në vendin e quajtur “Guri i M’pretë” në kazanë e Tomorricës, disa vetë u kanë marrë mallin që e çonin për tregëti në Berat “.
Në gjithë këtë trevë në Mesjetë lulëzim më të madh pati fshati Grëmsh, sipas regjistrit osman, në vitin 1570 ai kishte 400 shtëpi dhe 18 dyqane, fshat-qytet jo i vogël për kohën, ku jetonin bejlerë e spahinj fermanlinj me tituj dhe me prona në Berat, Korçë, Fier, Maqedoni, Greqi, Thesali e gjetkë. Kjo shtrirje bëri që emri dhe bëmat e Grëmshit të njihen brenda vendit, por edhe në sferat e larta të perandorisë osmane. Të njohur e bëri atë edhe biri i këtij fshati, Arkitekt Kasëmi, që në vitin 1595, pas shumë ndërtimeve që kishte bërë në fshatin e tij të lindjes dhe në disa vise të tjera, u bë kryearkitekt i perandorisë me shumë kryevepra që janë edhe sot në Stamboll dhe Edrene. Edhe pse me një detyrë të rëndësishme e të vështirë, ai kishte merak Beratin dhe ka udhëhequr disa dhjetëvjeçarë ndërtimet e këtij qyteti. Grëmshi mori të tatëpjetën në kohën e shthurjes së spahillëkut, ku një pjesë e bejlerëve dhe spahinjve humbën pronat e tyre, sidomos në territorin grek ku kishte filluar revolucioni dhe lufta për shkëputje nga Turqia. E kësaj kohe ka qenë edhe lëvizja e frashërllinjve nga Grëmshi për të cilën Sami Frashëri në “Kamus Ul Alam”, faqe 123, thotë: “Bejlerët e Frashërit origjinalisht janë të shpërngulur prej rretheve të nënprefekturës së Tomorricës së Beratit dhe janë atdhesuar në katundin Stanimakë, që atyre iu dha si feud. Një tjetër figurë e shquar që pohon origjinën e tij nga kjo krahinë është edhe internacionalisti italian Antonio Gramshi. Në një letër drejtuar motrës së gruas së tij nga burgu i Turit, më 12 tetor 1931, ai shkruan: “…Vetë unë nuk kam asnjë racë; im atë është me origjinë shqiptare të vonshme, familja iku nga Epiri pas ose gjatë luftës së vitit 1821…”.
Për më tepër, Arkitekt Mimar Kasemi (1570-1650) arriti të jetë Kryearkitekti i Perandorisë Osmane në shek. XII-të dhe u bë mjeshtër i arkitekturës klasike osmane. Ka krijuar vepra monumentale origjinale. Qoshku Bagdad, Qoshku Revan, Xhamia me Fajancë në Stamboll e shumë kryevepra të tjera, kanë për autor tomoricarin Kasëm, i cili nuk harroi ta linte të zezën mbi të bardhë në Vakufnamen e tij të famshme të vitit 1648, ku, mes të tjerave, shkruan se “nga pronat e mija të mirëfillta po lë vakëf në fshatin Gremsh, që është vendlindja ime në Nahijen e Tomorricës, të Kazasë së Beratit, xhaminë, imaretin dhe banjën publike, të cilat i kam ndërtuar vetë”. Sigurisht, arkitekt Kasemi ka lënë edhe vepra të tjera të shkëlqyera, por në këto radhë nuk duhet të harrojmë, nuk duhet të mos themi e të kujtojmë atë që sot për sot është kryevepra e tij “e gjallë”, Ura e Kasabashit (Bash Kasëmit), pranë qytetit të Çorovodës. Pra arkitekti me famë Mimar Kasëmi, edhe pse jetonte e punonte në zemër të Perandorisë Osmane, nuk e harroi kurrë Tomoricën.
Piktori i madh anglez, Eduard Lir realizon një nga pikturat më të bukura dhe që ngeli kryevepra e tij me pamje të Tomorrit dhe të zonave përreth tij. Më vonë janë të njohura dhe të dokumentuara udhëtimet e studimet në Tomor të udhëtarëve e dijetarëve të shquar evropianë si Martin Lik,Evliah Çelebiu, Margaret Halcuk, Antonio Baldaçi etj. Naim Frashëri, jo pa një ngacmim, shkruan “A mos vjen prej Çamërie,/ prej Skrapari, prej Dobreje”. Muza poetike i solli me njëherë në mend Dobrenjën, se ai aty kishte njerëz të gjakut të tij, kishte një hallo.
Nuk është shumë i njohur fakti se Ismail Qemali ishte deputeti i parë dhe përfaqësues i krahinës së Tomoricës në Qeverinë e Vlorës.
Ka dokumente e të dhëna që Ismail Qemali kishte simpati për skraparllinjtë, të cilët ai nuk i njohu vetëm kur ndërmori hapin e madh, formimin e shtetit shqiptar më 1912, por që më parë kur ai ishte deputet në parlamentin osman, duke ardhur disa herë në këtë krahinë. Ajo që e lidhi më tepër këtë burrë të madh me Skraparin, ishte momenti kur përfaqësuesit e krahinës së Tomorricës, të mbledhur në Konak, me qenë se ishte vonë, një ditë para ngritjes së Flamurit dhe nuk mund të shkonin në kohë në Vlorë ( pasi telegrami ftesës i dërguar nga Ismail Qemali,u dorëzua me vonesë prej Xhelal Koprënckës), me anë të një telegrami, ata autorizuan Ismail Qemalin si përfaqësues të tyre, gjë që ai e pranoi me kënaqësi dhe ia vuri në dukje përfaqësisë së mandateve në këshill dhe në qeveri. Vlenë të shënojmë se në Kryengritjen e Vlorës për pavarësi morën pjesë disa luftëtarë skraparas, midis tyre edhe Sulo Greva. Ismail Qemali kishte edhe shumë miq skraparas. Ai kishte mik Xhelal Bej Koprënckën, të cilin e lajmëroi të linte detyrën si oficer në Janinë dhe të vinte pas tij në Vlorë (Xhelal Bej Koprencka ka firmën në aktin e Pavarësisë). Më pas u zgjodh në Pleqësinë që zgjodhi qeverinë e parë, si dhe u ngarkua me detyrë komandant i forcave kundër grekut në rajonin Skrapar, Korçë, Përmet). Tjetër mik ai kishte Tefik Rogun, të cilin thirri që nga Turqia. Ka një numër jo të vogël telegramesh që kanë shkëmbyer me të, kur ky i fundit u vendos në administratën e qeverisë së re dhe veproi në zonën Berat dhe Skrapar. Një simpati të veçantë Ismail Qemali kishte për Maliq Vlushën, të cilin zgjodhi në kabinetin e tij, një prej njerëzve të shquar intelektual Maliq Sanxhaku (Vlusha), por që ai preferonte t’i thërriste Maliq Skrapari, duke e emëruar drejtor të Departamentit të Bujqësisë. Simpatia e Ismail Qemalit dëshmohet edhe nga telegrami që ai i dërgonte popullit e parisë së Skraparit ku midis të tjerash thuhet se: “…populli i kësaj krahine, ashtu si dhe më parë dhe tani do të jetë në këmbë për çështjen kombëtare…” Në fund të dhjetorit të vitit 1912, Qeveria e Përkohshme e Vlorës, cakton si nënprefekt të Skraparit Baki Gjebrean. Si qendër zyrtare e nënprefekturës u caktua Çorovoda. Zëvendës i nënprefektit u zgjodh një vendali, njëri me influence e kontribut të shquar në çështje kombëtare Abdulla Koprëncka (Dule). Baki Gjebrea qëndroi plot një vit në Skrapar dhe në tetor 1913 u zëvendësua nga Themistokli Germenji, i cili në Skrapar kishte qenë në muajin gusht i dërguar nga qeveria e Ismail Qemalit, për rekrutimin e xhandarëve për xhandarmërinë shqiptare. Në nënprefekturë ai është paraqitur në 22 tetor 1913. Me datën 23 tetor thirri parinë e Skraparit. Ai mori masa të rrepta për vendosjen e qetësisë e sigurisë në nënprefekturë. Në këtë detyre ai qëndroi deri në shkurt 1914.
Eqerem bej Vlora shkruan gjatë për udhëtimin e tij në librin “Nga Berati në Tomor e kthim”. Duke shprehur pasionet e tij aventurore, udhëtimet dhe gjahun, ai gjeti në këtë vend gjithçka donte, të cilat i hodhi bukur në letër, ku bën përshkrime piktoreske të natyrës, por edhe të gjendjes së mjeruar të njerëzve. Ai ka bujtur në shtëpinë e Mahmut Zaloshnjës, por pa pyetur dhe pa e ditur se i zoti i shtëpisë ishte një luftëtar i shquar, se ky ishte ai “Mahmut nga Tomorrica/ me njëqind e ca kastriqa”…, siç i këndonte populli. Beu i bredhur, i zgjuar, por shumë qibar, veç një përralle të bukur që dëgjoi nga Mahmuti dhe e botoi më vonë, nuk e pa me vend të shkruante më gjatë për këtë fisnik krahine, që e priti si të priturit, me të gjitha nderet që i takonin sërës së tij. Po kështu, megjithëse Zybë Ujaniku “rrëzoi shtëpinë mbërdhe” për Beun vlonjat, ai e përshkruan atë ftohtë por më tej shënon se i kishte bërë shumë përshtypje zgjuarsia e atij njeriu për ta vënë shpejt paranë. Ndaj është për tu shënuar që ai ka qenë mik e dashamirës i Tomorit dhe i Tomoricës.
Sali Butka kishte dy çeta në Tomorricë që komandoheshin nga Dostllarët e Zaloshnjes, Serveti dhe Mahmuti, me të cilët kishte lidhje të afërta miqësore. Ai ka vepruar gjatë në këto anë. Dhe siç thotë kënga: “Në Konak thërret tellalli,/ thërret Sali Kapedani”…
Në vitin 1923 Fan Noli kalon një natë në Dobrenj. Në një debat që bën në Parlamentin shqiptar të asaj kohe ai thotë: “Sa për Shqipërinë e këtushme, kam parë rasën të udhëtoj nga Dobreja në Voskopojë 25 orë me kalë dhe kudo kam parë katunde të prishura…Patriotizmi dhe sakrifica e këtij populli nuk është kursyer aspak”. Vlen të theksohet këtu edhe figura e Refat Gurrazezit lindur në fshatin Gurrazezë më 15 Qershor 1894 i cili emigroi ne SHBA dhe u bë pjesë e shoqatës ‘vatra’ deri edhe sekretar i saj apo kryeredaktor i gazetës ‘dielli’. Ishte mik i ngushtë i Faik Konicës e Fan Nolit. Vdes më 14 gusht 1979. Edhe sot shumë shqiptar vizitojnë varrin e tij ne Forest Hills Cemetery në Boston.
Në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare puna solli në këto anë, më saktësisht, në Çetën e Plakut të Maleve, Mestan Ujaniku, dy luftëtarë të shquar me përmasa kombëtare, Heroin e Popullit Ramiz Aranitasin nga Mallakastra dhe Gjin Markun nga Mirëdita, të cilët populli i Skraparit dhe i Tomorricës i deshi dhe akoma i do e i nderon si bijtë e tij.
Vlenë të përmendet edhe se në segmentin Qafa e Gjarpërit – Guri i Prerë, në qershor 1944, është zhvilluar një nga betejat më të lavdishme dhe më të ashpra kundër pushtuesve gjermanë. Forcat partizane-çlirimtare të Batalionit të pestë të Brigadës së Parë Sulmuese në këtë betejë udhëhiqeshin nga komandanti legjendar Xheladin Beqiri Karadaku (15.10.1908 – 6.6.1944) nga Dragashi i Kosovës, rënë heroikisht në ketë zonë. Lapidari i Qafës së Gjarpërit shënon 27 emrat e heronjve të rënë për liri dhe që kujtohen me nderime çdo 6 Qershor. Busti i Xheladin Beqirit ndodhet ne Nivicë të Labërisë. Shteti shqiptar e nderoi me titullin më të lartë “Hero i Popullit”.
Poeti Ali Podrimja nga Prishtina, më shumë se nga mali, u befasua, thuajse mbeti pa gojë, kur dëgjoi vargjet e tij të recituara nga një mësuese atje, në Tomorr.
Me atë famë që mori në vitet ‘70-‘80 me zërin e tij brilant, Artisti i Popullit Demir Zyko, domosdo që do të kishte miq të shumtë, gazetarë, shkrimtarë, regjisorë, skenaristë, por më i veçanti, që bujti disa herë në shtëpinë e tij dhe që u bënë miq të vërtetë, ishte Dritëro Agolli, i cili, pas kësaj njohjeje, nuk e linte më të flinte Xha Demirin në hotel kur ai vinte në Tiranë, por e merrte në shtëpi.
Petro Marko ishte gjithashtu i apasionuar pas malit të Tomorit dhe këngës së virtuozit Demir Zyko dhe vizitor i rregullt i Tomoricës.
Tomori, si mal me virtyte perëndie e njerëzore, krahina e Tomorricës, Dangëllisë, Sulovës, Dëshnicës, Mallakastrës dhe gjithë Myzeqesë, që e kanë Tomorin gjithë ditën para syve, i drejtohen atij në të mira e në të këqija. Betohen “Për atë mal”! “Për atë re”! “Për atë çukë”! “Për Baba Tomorrin”! “Për Abas Alinë”! “Të rroni sa mali i Tomorrit”! Ose mallkojnë: “Të vraftë çuka e Tomorrit”! “Të paftë Abas Aliu”! Është kjo arsyeja që çdo vit më 9-12 gusht sipas kalendarit Osman ose 20-25 gusht, sipas kalendarit të ri, bëhet festë e madhe në Tomorr. Në këto ditë mali i shenjtë pret e përcjell mbi 100 mijë pelegrinë, veçanërisht pelegrinë bektashianë, por edhe të tjerë, për t’u falur për shëndetin e tyre, për shëndetin e tërë familjes, për mbarësinë e pjellorinë e kafshëve e prodhimeve bujqësore. Pelegrinët vijnë nga e gjithë Shqipëria, por edhe nga Mali i Zi, Kosova e Maqedonia e më gjerë.