Franca ka marrë 316 800 doza të vaksinës antiCOVID-19 AstraZeneca, gjysma e të cilave janë administruar dhe pa të dhëna që tregojnë vdekje ose raste të mpiksjes së gjakut, sipas shifrave të reja të Agjencisë franceze për Sigurinë e Ilaçeve (ANSM), shkruan Hannah Thompson, në një artikull të botuar në faqen online të së përmuajshmes franceze “The Connexion”.

“Nuk ka pasur ndonjë vdekje ose reaksion të rëndë në Francë ndaj grupit të fundit të dozave të vaksinës Oxford/AstraZeneca”, raportoi agjencia franceze e sigurisë së ilaçeve (ANSM), ndërsa publikoi shifrat e saj më të fundit mbi efektet anësore të vaksinimit Covid-19. “Agjencia Europiane e Barnave (EMA) vazhdon të rekomandojë përdorimin e vaksinës AstraZeneca në Europë, të cilën ANSM e mbështet”, shtoi agjencia. “Në këtë fazë, asgjë nuk tregon se ekziston një problem specifik me grumbullin ABV5300, as që vaksinimi shkakton efekte që nuk shfaqen në listën e efekteve anësore të kësaj vaksine”, vazhdohet në deklaratë.

Në përgjithësi, shifrat e ANSM tregojnë se deri më 4 mars, 454 545 doza të AstraZeneca-s janë dorëzuar në Francë, me raporte të efekteve anësore të padëshirueshme pas 3 013 injeksioneve, më pak se 1% (0,66%). Kjo është pak më e lartë se shifrat e raportuara për vaksinat e tjera, si Pfizer/BioNTech, që ka regjistruar efekte anësore të raportuara pas 0,19% të injeksioneve dhe Moderna pas 0,12% të tyre.
Dy të tretat e efekteve anësore të raportuara për vaksinën AstraZeneca konsiderohen “joserioze”, përfshirë dhimbje në vendin e injektimit dhe disa ethe.

Në raste më të rralla, rreth 10% e efekteve anësore të raportuara përmendën të përziera ose të vjella, dhimbje koke dhe marrje mendsh. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha sërish këtë javë se nuk ka asnjë arsye për të mos përdorur vaksinën “AstraZeneca”. ANSM ka shënuar “një rast tromboze” nga 454 545 doza “AstraZeneca” të administruara deri më tani në Francë, që është më e ulët se rreziku kombëtar i trombozës pa vaksinë, që aktualisht është një në 300 000 persona. Mjekët në Francë kanë botuar sot një letër të hapur në “Le Journal du Dimanche”, duke i bërë thirrje publikut që të mos ketë frikë nga marrja e një vaksine, përfshirë atë “AstraZeneca”.