Çfarë të përbashkëte ka Lulzim Basha me persona me emra të habitshëm si Gurbanguli Berdymukhamedov, Emmerson Mnangagwa dhe John Mugufuli? Fakti që ashtu si Basha, këta lider shtetesh të varfëra afrikane dhe aziatike kanë vendosur në rrezik shëndetin publik, duke organizuar mitingje politike pa asnjë masë mbrojtje ndaj Covid-19.
Fotoja e mësipërme është shkëputur nga një miting i organizuar vetëm disa ditë më parë në Kavajë nga kryetari i opozitës shqiptare. Siç shihet, në takim janë pjesëmarrës me qindra persona, nga të cilët asnjëri, përfshi dhe vetë Bashën me maskë. Ky është vetëm një nga disa mitingjet e organizuara javën e kaluar nga Lulzim Basha në shkelje të protokollit të sigurisë së Covid-19. Janë shumë të paktë liderat botërorë që në këtë kohë Covidi kanë dhënë këtë shembull mungese totale përgjegjshmërie, duke vendosur në rrezik shëndetin e qytetarëve të tyre. Njëri prej tyre është John Mugufula, presidenti i Tanzanisë. Lajmet ndërkombëtare raportuan sot se 61-vjeçari, i cili besonte se Covid shërohej me lutje dhe avull të nxehtë, e që tallej me maskat ndërroi jetë në një spital në Kenia për shkak të ndërlikimeve të ardhura nga Covid-19. Megjithatë, përpara se të pësonte këtë fund fatkeq, Mugufula organizonte tubime masive si në foton e mëposhtme, ku ai është i pranishëm me disa qindra persona në kremtimin e një ceremonie fetare në Dar es Salaam, kryeqendrën ekonomike të Tanzanisë.
Një tjetër person lider që ka shpërfillur rrezikun nga Covid-19 është Presidenti i Zimbabves, një prej 5 vendeve më të varfëra në Afrikë. Pasardhësi i diktatorit famëkeq Robert Mugabe është shprehur gjithashtu se Covidi është një sajesë e vendeve të mëdha, për të zhvatur përsëri vendet e vogla dhe si rrjedhojë, ai nuk ka parë të arsyeshme të miratojë një protokoll për mbrojtjen nga pandemia. Fotoja e mëposhtme është shkrepur disa ditë më parë. Në foto duket policia që vendos rregull në një rresht qytetarësh që përgatiten të takojnë presidentin e tyre, të gjithë pa maska.
Në Europë, rasti i vetëm përveç atij të Lulzim Bashës është ai i Aleksandër Lukashenkos. I konsideruar gjërësisht si diktatori i fundit i Europës, lideri i Bjellorusisë gjithashtu e konsideron kërcënimin nga pandemia të mbivlerësuar, aq sa është i vetmi vend në Europë që nuk ka marrë asnjë masë për ndalimin e grumbullimeve sportive. Lukashenko shfaqet në takime me qytetarët e tij pa maskë, e në shkelje të plotë të rregullave të Covid, siç tregon fotoja e mëposhtme e Lukashenkos në një ndeshje hokei në akull, në një stadium të mbushur me qytetarë pa maska.
Gjatë vitit të fundit, Bjellorusia është i vetmi europian ku eventet sportive zhvillohen ende me stadiume të mbushur me spektatorë. Një tjetër lider që nuk respekton protokollet e Covid-19, siç tregon fotoja e mëposhme është meksikani Andres Manuel Obrador. Edhe pse Meksika është një prej vendeve më të prekura nga pandemia në rang botëror, Obrador për shumë kohë refuzoi të merrte masa ndaj pandemisë dhe pavarësisht faktit që tashmë edhe Meksika ndalon distancimin social, diçka e tillë duket se nuk vlen në mitingjet elektorale të Obrador.
Lider të tjerë që kanë zhvilluar tubime pa maskë dhe pa distancim social përfshijnë Kryeministrin e Kamboxhias, Hun Sen, diktatorin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, presidentin e vetëshpallur zot të Turkmenistanit, Gurbanguli Berdymukhamedov dhe presidentin e Brazilit, Jair Bolsonaro. Të gjithë këta janë liderat që kanë përfunduar në qendër të vëmendjes për vendosjen në rrezik të jetës së publikut me grumbullime masive pa maskë. Asnjëri prej tyre nuk është lider i një vendi të zhvilluar dhe aq më pak demokratik. Për Lulzim Bashën, që të vendoset në këtë listë përkrah liderave turkmenë, tanzanas, zimbabeanë, koreanoverior apo kamboxhianë nuk duhet të jetë aspak një arritje për t’u përshëndetur./LEXO.AL