Shkolla e re në fshatin Mangull të Petrelës është thuajse gati të presë fëmijët. Ata nuk do të kenë më nevojë të udhëtojnë gjatë, nëpër shkolla të tjera, pas rindërtimit të shkollës së tyre.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Xhemal Qefalia, inspektuan punimet e fundit për shkollën e re 9-vjeçare, e cila u dëmtua nga tërmeti i 26 Nëntorit. Shkolla e re është dyfish më e madhe, me klasa deri në 24 nxënës, 3 laboratorë, bibliotekë e kabinete mjekësore, si dhe palestra e terrene sportive, që mund të shfrytëzohen edhe nga komuniteti.

Kryebashkiaku tha se ndërtimi i shkollave të reja të Tiranës po kryhet me të njëjtin standard, si në qendër, ashtu edhe në periferi. “Më vjen mirë që kemi të njëjtin standard si në qendër të Tiranës, edhe këtu në Petrelë. Shkolla e re është një gëzim i madh për të gjitha familjet. Nuk është vetëm një shkollë, por edhe një qendër e teknologjisë së informacionit, ku nxënësit do të mësojnë kurse programimi e gjuhë të huaja. Mezi pres që nxënësit ta shohin shkollën e re dhe të shpëtojmë një herë e mirë nga vara-vingot në Tiranë”, tha Veliaj.

Nisur nga transformimi cilësor, jo vetëm në institucionet arsimore, por edhe në shumë kantiere të tjera, e shërbime të reja, që po rrisin çdo ditë nivelin e jetesës së komunitetit, Veliaj shtroi nevojën e votës për të vijuar me projektet e tjera gjatë mandatit të ardhshëm.

“Pyetja është: Do ta lëmë me kaq, apo do i shkojmë deri në fund? Do ta lëmë vetëm me këtë shkollë, apo do mbarojmë edhe kopshtin në Gurrë? Do ta lëmë me kopshtin në Gurrë apo do mbarojmë edhe Unazën e madhe të Tiranës, që na lidh me Dajtin, me Rrugën e Arbrit dhe del te Bregu i Lumit për t’u bashkuar me “Shqiponjën”? Do ta lëmë me kaq, apo do ta çojmë deri në fund edhe Parkun e Liqenit të Farkës? Do ta lëmë me kaq, apo do vazhdojmë edhe me tregun bashkiak që do bëjmë këtu në Mullet, që të shpëtojmë një herë e mirë nga privati, i cili ta mat kokën me spango për të shitur me shumicë? Do ta lëmë me kaq, apo do të vazhdojmë projektet e bujqësisë, ku është rritur edhe vlera e tokës? Përgjigja është e qartë: Nuk do ta lëmë me kaq! Do ta çojmë punën deri në fund, të sigurohemi që i kemi mbaruar të gjitha shkollat, kopshtet, shtëpitë që duhen rindërtuar pas tërmetit, dhe t’iu themi njerëzve, vërtet na ra një fatkeqësi, po u ngritëm në këmbë, më të fortë seç ishim kur u rrëzuam,” tha Veliaj.