Pas shumë vuajtjeve më në fund Gennaro Gattuso duket se ia doli mbanë për të kthyer në rrugë të drejtë ekipin e Napolit, megjithatë pavarësisht ecurisë pozitive të skuadrës në ndeshjet e fundit, shtypi italian po shkruan gjithnjë e më tepër për zëvendësimin e tij në mbylljen e sezonit.
Duke llogaritur edhe fitoren me Granadën në sfidën e kthimit në stadiumin “Diego Armando Maradona”, që i kushtoi klubit nga Campania eliminimin në Europa League, ekipi i Napolit ka fituar 3 nga 4 takimet e fundit në të gjithë kompeticionet, e përjashtim bën vetëm barazimi 3-3 me Sassuolon në Reggio Emilia, ku për hir të së vërtetës trajneri kalabrez pa t’i iknin nga duart 2 pikë tepër të çmuara pikërisht në 95’ të ndeshjes, pas 11-metërshit të shndërruar në gol nga Francesco Caputo.
E pra pavarësisht atij barazimi jashtë fushe ndaj një ekipi të vështirë si Sassuolo, që pozicionohet në vendin e nëntë në klasifikimin e përgjithshëm të Serisë A, për momentin ekipi i Napolit pozicionohet në vendin e gjashtë në tabelën e renditjes, vetëm 3 pikë larg zonës Champions, për më tepër skuadra “azzurre” ka për të rikuperuar edhe një ndeshje krahasuar me verdhekuqtë e Romës, që klasifikohen aktualisht në vendin e katërt të kampionatit italian.
Mediat italiane kanë nxjerrë një listë me emrat që pritet ta zëvendësojnë 43-vjeçarin në stolin e Napolit. Duke filluar nga Maurizio Sarri, të cilin Gatuzo e mundi në finalen e Stadiumit Olimpik të Romës, kur tekniku veteran drejtonte Juventusin. Marrëdhëniet e 62-vjeçarit me presidentin De Laurentiis mbeten problematike por gjithsesi Sarri gëzon një respekt të veçantë në gjithë ambjentin napolitan, për punën e bërë dhe rezultatet e arritura gjatë 3 sezoneve me skuadrën që mban ngjyrat e qiellit.
Në futboll kanë ndodhur lloj-lloj çudirash, kështu që mediat vendase nuk e përjashtojnë gjithashtu edhe një kthim të mundshëm të trajnerit të mirënjohur spanjoll Rafael Benitez, ndërkohë gazetarët kanë shkruar edhe për një interesim të drejtuesve të Napolit për dy trajnerë që po bëjnë mirë, si trajnerin e Spezia-s Vincenzo Italiano dhe teknikun e Veronës, kroatin Ivan Juric. Po fiton gjithmonë e më shumë terren emri i trajnerit të Sasuolos Roberto De Zerbi, që po bën vërtet shumë mirë në këto tre sezone me skuadrën emiliane dhe tani duket gati për një klub me emër, gjithsesi një alternativë tjetër shumë e fortë mbetet edhe Luciano Spalletti, për të cilin interesohet gjithashtu edhe Spartaku i Moskës.
Kontrata e 62-vjeçarit toskan me zikaltërit e Interit përfundon më datën 30 qershor, kështu që është e qartë që Spalletti do të rikthehet për të drejtuar një skuadër që në verën e ardhshme. Fati i Gatuzos tashmë është përcaktuar dhe krerët e Napolit kanë shfaqur hapur interesimin për trajnerin toskan, madje Sportmediaset ka zbuluar se në një bisedë që ka patur me presidentin e Napolit Aurelio De Laurentiis, Luciano Spalletti është treguar i gatshëm për t’i hyrë një aventure të tillë.