Mjekja shqiptare në Gjermani, Aurora Dollenberg tha se ka rifilluar vaksinimin me AstraZeneca pasi u vërtetua se nuk shkakton tromboza dhe se është efektive dhe e dobishme për luftimin e COVID-19.

Gjatë intervistës për “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv, Dollenberg tha se edhe kufiri moshor që ishte vendosur për AstraZeneca që të mos përdoren mbi mosha 65 vjeç e sipër është hequr pasi sipas statistikave dhe ato pak raste që kanë pësuar trombozë nuk kanë lidhje me moshën mbi 65-vjeç, pasi ato pak raste të trombozave janë me një kufi moshor të shpërndarë.

Mjekja tha se AstraZeneca jepet mbi moshat 18 vjeç e sipër, si kufiri i vetëm moshor që është vendosur për të në Gjermani. “Vaksinimi me AstraZeneca do të vazhdojë pasi vijon të mbetet efikase. Kjo është një vaksinë e dobishme dhe do të vijojë, megjithatë monitorojmë efektet anësore edhe një javë pas marrjes së saj.

Edhe pse ka pasur një kufizim në fillim deri në 65 vjeç, kjo u hoq pasi u pa se nuk ka efekte anësore mbi këtë moshë dhe se tromboza kanë pasur një shpërndarje në grup mosha të ndryshme. Nuk ka pasur një rritje sinjifikante të rrezikut për tromboza dhe i vetmi kriter është se po jepet mbi 18 vjeç“, tha Dollenberg.

Mjekja shqiptare në Gjermani tha se Shqipëria po vijon me ritme të ngadalta vaksinimi krahasuar me popullatën e vogël, por mbetet optimistë që ai të mos ndërpritet dhe të vijojë në mënyrë sistematik e që deri në verë të jetë arritur imunizimi i tufës.