Gazetari i njohur, Sokol Balla, e ka nisur emisionin e sotëm “Real Story”, në News24, me një mesazh prekës për mikun e tij, Bashkim Fino, që u nda nga jeta parakohe nga koronavirusi.
Balla tha në fillim të emisionit se ka vendos kravatën që deputeti Fino ja ka dhuruar 15 vite më parë. Më tej, ai kujtoi dhe kohën e vështirë të 1997-ës, kur Bashkim Fino erdhi me helikopter nga Gjirokastra në Tiranë dhe mori drejtimin e vendit.
“E kam të vështirë të flas për vdekjen, por prej një viti ajo është pjesë e realitetit tonë. Unë sot kam vënë këtë kravatë, të cilën ma ka bërë dhuratë para 15 vitesh një mik i imi, i cili duke e ditur ndjeshmërinë time për veshjen në ekran, në fund të emisionit e hoqi këtë kravatë dhe ma dhuroi. Ai vetë ishte një njeri fin në shije, ashtu e kishte dhe mbiemrin Fino. Bashkim Fino, politikani fisnik e modest, na la sot më herët se sa ne mendonim, por ama na la në një muaj që na fut çdo vit, prej 1997, në mendime të thella. Bashkim Fino iku në muajin mars, pikërisht në muajin kur ai u bë popullor për të gjithë shqiptarët, majtas e djathtas, kur një helikopter e solli në Tiranën e trazuar si kryeministrin e ardhshëm të pajtimit kombëtar.
Z. Fino bashkoi me aq sa mundi shqiptarët, në atë luftë civile, ku shteti u shkri bashkë me paratë tona. Ai mbeti një simbol i paqes dhe bashkimit, duke i kursyer vetes shumë baltë që politika hedh mbi veten e saj. Shqipëria ka qenë e pafatë, kryesisht në zgjedhjet e saj politike, por më 1997, në krizën e saj më të thellë dhe në kohën më të keqe, zgjodhi kryeministrin e duhur. PS i fitoi ato zgjedhje nga figura e butë njerëzore e Bashkim Finos, figurë të cilës duhet t’i përkulemi me respekt, të paktën sonte”, tha mes të tjerash Balla.