“Synimi i socialistëve në qarkun e Vlorës është 9 mandate”, tha sot drejtuesi politik i PS, Damian Gjiknuri, ndërsa prezantoi kandidatin për deputet Vullnet Sinaj.
Gjiknuri tha se, “këtu u fol shumë për gjërat që janë bërë dhe askush nuk mund ta mohojë. Nëse ka një motiv kjo zonë për të votuar masivisht për PS është pikërisht transformimi që po i bëhet kësaj krahine”.
“Kjo rrugë është dëshmitare e frontit të zhvillimit e këtij treni që është nisur dhe nuk do të ndalet. Kjo u bë sepse vendosi Edi Rama të ketë një projekt ekonomik e politik për Vlorën. Këtë duhet t’ua thoni të gjithëve se do vijnë edhe shokë e miq e do thonë votoni për mua. Ju duhet të votoni për veten tuaj, ata janë thjesht për hesapin e tyre. Zhvillimi i zonës do të vijë vetëm me Partinë Socialiste. Shikoni listat e Vlorës për deputetë. Asnjë që banon në Vlorë nuk e kanë në listën fituese. Asnjë nuk e kanë që banon në Vlorë. Kanë një listë të shitur nga Luli në Tiranë. Në listën tonë ka përfaqësi politike dhe njerëz që banojnë në Vlorë. Këtu harmonizohet ekipi, edhe politika qendrore, edhe përfaqësimi lokal. Janë njerëz më të lidhur me problematikat e zonës. Siç e keni Vullnetin këtu, që në fakt bëhet edhe bezdisës për problemet e zonës. Ai mbron dhe përfaqëson interesat e zonës dhe ndaj vendosëm ta rikandidojmë sërish që ta keni deputet”, tha ai.
Gjiknuri tha se Presidenti i Republikës është tërbuar fare, se s’ka vaksinë që ta bëjë atë.
“Donte që të fuste përçarje mes krahinave, tha ‘e hoqën fondin nga Selenica dhe e çuan në Radhimë’. Qëllimi ishte të përçante krahinat e Vlorës. Ju e dini shumë mirë se qeveria punoi edhe në këtë periudhë, ai projekti vazhdon dhe në datën 23 mars përfundon dorëzimi i ofertave dhe shumë shpejt do jemi bashkë këtu, ta ftojmë dhe Presidentin që të fillojmë inaugurimin e rrugës nga Peshkëpia në Selenicë. Ajo nuk do jetë asfalt elektoral si thonë disa, po një investim 9 milionë euro”, u shpreh Gjiknuri.
Gjiknuri tha se Reforma në Drejtësi nuk mund të lihet në dorë të Sali Berishës dhe Ilir Metës.
“Ky mandat i ri për qeverinë Rama është konfirmim që gjërat e nisura të vazhdojnë më tutje. Në këtë krahinën tuaj, po ka një motiv për të votuar fshatçe, vlonjatçe e krahinorçe është që u bë kjo rrugë që e kishin të gjithë ëndërr. Të vlerësohet një njeri që bëri një gjë të madhe. Respektojeni me votë për këtë që bëri, sepse të tjerët nuk kanë bërë asgjë deri më tani. Është momenti ti japim votën masivisht Partisë Socialiste. A doni të jeni në kahun e fitores, doni të jeni në kahun e zgjidhjes së problemeve që të keni një derë për të trokitur? Votoni për Partinë Socialiste dhe kandidatët e saj. Kjo është mundësia e artë që ta bëni këtë”, u shpreh Gjiknuri.
Më tej, Gjiknuri tha se rekomandimi im dhe thirrja ime është se më e rëndësishme sesa vota personale, vlera e Vullnetit do të jetë që të marrë vota Partia Socialiste.
“Ne jemi ekip, ne luajmë për 9 mandate dhe shanset janë reale. Jo më kot kemi vënë në atë pozicion një grua nga komuniteti çam për t’u thënë të mos çojnë votat dëm, por të zgjedhin një vajzë vlonjate tek Partia Socialiste duke garantuar përfaqësimin e tyre. Me 9 mandate ne dalim qarku kampion dhe japim mesazhin e burrërisë se siç na nderove si komunitet të nderuam me votë duke të futur në borxh politik për të vazhduar rrugën e nisur për Vlorën që Duam”, tha ai.
Nga fjalën e tij kandidati për deputet Vullnet Sinaj kërkoi votën e banorëve të zonës së Lumit të Vlorës edhe si një garanci për të mos ndalur zbatimin e Reformës në Drejtësi.
“Si mund ta lëmë Reformën në Drejtësi në mes. Atë që Edi Rama dhe qeveria e kanë sjellë deri në këtë moment. Si mund tua lëmë në dorë atyre? E imagjinoni se ç’mund të bëjë me Reformën në Drejtësi Sali Berisha, Ilir Meta apo Monika? Si mund të lëmë ne që ata që kanë abuzuar me taksat dhe floririn e këtij vendi të shkatërrojnë këtë reformë”, u shpreh Sinaj.
Më tej, ai bëri thirrje për një mbështetje masive të popullit të Labërisë për qeverinë e Edi Ramës, pavarësisht kampeve dhe përkatësive politike.
“Nuk ka ndarje politike në Labëri, por ka një votë labçe. Ne do ta votojmë akoma më shumë sot labçe, sepse kemi arsye edhe më shumë. Edhe të djathtët kanë arsye më shumë për të thënë se këtë herë do ia japim votën Edi Ramës. Ne jemi ai popull që sa herë ka dashur historia mbështetjen tonë, e kemi dhënë atë pa asnjë kusht, pa asnjë premtim nga të tjerët që do të na bënin diçka. Sot jemi po ai popull dhe bijtë e atyre që kur u desh të merrnim armët për Pavarësinë e Kombit e bëmë. Sot nuk na kërkon njeri të marrim armët por kemi një votë me të cilën duhet të tregojmë cilësitë, virtytet dhe besnikërinë e të parëve tanë. Kësaj vote për mandatin e tretë të Partisë Socialiste duhet ti vëmë emrin ‘vota e mirënjohjes’ ndaj Edi Ramës dhe PS, sepse Edi Rama dhe PS bënë për këtë krahinë atë që nuk e ka bërë askush tjetër”, theksoi ai.