Qeveria greke ka vendosur të lirojë një pjesë të masave kufizuese gati dy muaj pas izolimit të pjesshëm ku gjendet vendi fqinj, pavarësisht se shifrat e të infektuarve dhe të shtruarit në spitale vijojnë të jenë ende të larta.
Të mërkurën, vendi regjistroi rekordin e rasteve të reja me 3,456 raste dhe 630 të intubuar. Ndërsa situata në spitale dhe vala e tretë e virusit vdekjeprurës është në kulmin e saj, qeveria duket e vendosur të lehtësojë masat për qytetarët.
Mediat greke raportojnë se ky është hapi i parë i relaksimit të situatës së bllokimit, ndërkohë që sezoni i turizmit po afron.
Komiteti Shëndetësor, në mbledhjen e tij të enjten, do të vlerësojë situatën epidemiologjike në të gjithë vendin. Ai do të vlerësojë masat dhe do të shqyrtojë ndryshimet që duhen dhe më pas çdo vendim do të shpallet në konferencën e rregullt të premten pasdite.
Qeveria greke planifikon megjithatë të mbajë në fuqi ndalimin e qarkullimit nga ora 21:00 në vend të orës 19:00 që është e vlefshme tani. Ky vendim vjen pasi dita rritet më shumë, është edhe më e vështirë për qytetarët të “bllokohen” në shtëpitë e tyre kur mund të jenë jashtë për një shëtitje.
Në të njëjtën kohë, nga e hëna, 22 mars, do të lejohet hapja e salloneve të bukurisë. Ndërkohë më 29 mars pritet të hidhet në tryezë rihapja e aktivitetit të shitjes me pakicë.