Nga Ylli Pata
Video virale e bisedës telefonike së një vajze të call center-it të PD-së dhe një emigranti shqiptar, nuk është një rast i pandodhur, por një fenomen i rëndë që tregon hipokrizinë e thellë të opozitës në raport me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Përveç mosdijes dhe mospërgatitjes drastike të opozitës për t’ju përgjigjur kërkesave të emigrantëve, gjithsesi PD-ja dhe LSI në gjithë këto vite kanë përdorur një kartë politike siç është ajo e largimit të shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Sipas Bashës, por edhe më shumë Ilir Metës, shqiptarët kanë ikur jashtë vendit, si pasojë e qeverisjes së Edi Ramës. Kjo qasje nuk ka aspak logjikë, edhe pse propaganda ka bërë të vetën dhe është kthyer si një aksiomë e luftës opozitare.
Por këtu është realisht cinizmi dhe hipokrizia më e madhe. Nëse opozita mendon se qeveria e Edi Ramës ka sjellë një braktisje të Shqipërisë, atëherë përse e pengoi votën e emigrantëve shqiptarë? Dihet tashmë botërisht se KQZ nuk e ka ka miatuar të drejtën e votës së diasporës, aty ku ata jetojnë, vetëm sepse opozita nuk e ka pranuar këtë. Në listat zgjedhore të Shqipërisë, më shumë se gjysma e shqiptarëve të rregjistruar në listat e zgjedhësve jetojnë jashtë vendit: Në Greqi, itali, Gjermani, Britani të Madhe, vende të tjera të BE-së, SHBA, Kanada etj. Shqipëria sot është prapa vendeve të tjera të rajonit si Kosova e Maqedonia e Veriut, ku nuk e lejon votën e diasporës. Edhe sikur ta ndalonte Qeveria, përse PD e LSI nuk e vendosën si një nga kushtet e panegociueshme të marrëveshjes së 5 qershorit?
Shumë e thjeshtë, çështja e emigrantëve është thjesht një retorikë dhe jo një vullnet politik i opozitës. Nga ana tjetër, akuza se vendi është braktisur si pasojë e qeverisjes së PS-së nuk ka asnjë argument qenësor. Në vitet e fundit, pra nga viti 2013, nga Shqipëria janë larguar dy kategori njerëzish: ata që kërkonin azil, por edhe ata që kanë shkuar në vendet e zhvilluara të BE me kontrata të rregullta pune, ku Gjermania ka zënë vendin e parë.Siç dihet, dyndja e “azilantëve” nga Shqipëria ndodhi pikërisht kur vendet e BE-së, si Gjermania e Franca patën një eksod të madh nga Lindja e Mesme. Por ndryshe nga banorët e atyre viseve që iknin nga lufta dhe tmerri i ISIS-it, shqiptarët kryesisht synonin të merrnin dokumentet e qëndrimit të vendet e BE-së për të siguruar një integrim, siç kanë pasur emigrantët shqiptarë prej vitesh në këto vende, por edhe shtete të tjera.
Ndërkaq, në grupin e dytë, ku në radhë të parë ishin mjekët, infermierët, punonjësit sociale etj, pati largime të mëdha, si pasojë e hapjes së vendeve të punës në këto sektorë, sidomos në Gjermani. Nëse i referohemi historisë së vendeve më të varfëra të Bashkimit Europian, që në pikënisjet e tyre të integrimit, edhe ato e kanë kaluar këtë fazë. Polonia është një nga shtetet që ka hyrë ndër të parat nga Lindja Komuniste në BE. Ajo ka rreth 37 milionë banorë dhe në vitet e para të hapjes së kufijve, punëtorët polakë kanë dyndur vendet e mëdha të BE-a e natyrisht Britaninë e Madhe. Emigrantët tanë janë dëshmitarë të prioritetit dhe dyndjes polake në tregun europian të lirë të punës.
Më pas këtë vend e zunë rumunët e bullgarët, e ku natyrisht edhe shqiptarët do të kishin “zenithin” e tyre në vendet e Shengenit. Shqiptarët e trevave që kanë jetuar në ish-Jugosllavi, këtë status e kanë përjetuar prej mbi 40 vjetësh, e natyrisht kanë qenë më të privilegjiar atëherë sesa sot, dhe një pjesë e madhe e tyre largohet pikërisht në adresat e piketat e vjetra të diasporës sonë. Emigracioni është një fenomen që ndodh furishëm edhe në vende më të zhvilluara se ne e më pak të zhvilluara në BE. Greqia dhe Italia kanë prej vitesh një “largim të trurit”, kryesisht në SHBA, Britaninë e Madhe, por edhe Gjermani e vendet skadinave. Vitin e shkuar, me shpërthimin e egër të pandemisë së Covid 19, qeveria dhe autoritetet e qeverive rajonale në Itali thirrën që të rikthehen në atdhe disa nga ekselencat e mjekësisë europiane, kryesisht në fushën e kërkimeve të virologjisë, ku punonin ose në Gjermani apo vendet skandinave, kryesisht në universitete e qendra të kërkimit shkencor.
Ikja e trurit është një fenomen që nuk ndodh vetëm në Shqipëri, nëse shikojmë rajonin, si në Maqedoninë e Veriut, Kroaci, Kosovë, por edhe Serbi edhe Bosnjë, ky fenomen është mjaft i përhapur. Sllovenia bën përjashtim, ngaqë është një nga shtetet e para që SHBA liberalizoi vizat që në vitin 2000, gjë që zbuti atë zellin e largimit, plus që ishte ndër vendet e para të lindjes që u pranua në BE. Por ikja e trurit, nuk ka asnjë lidhje me “rrjedhjen e trurit”, një fenomen që prej vitesh është kthyer si sëmundje siameze tek ne. Ku simptomat e telashet e Sali Berishës e Ilir Metës i vuan jo thjesht opinioni publik, por edhe transmetohen në mënyrë kapilare në shoqëri. Madje edhe kur kanë “ditë të këqija”, çmenduria bëhet kolektive dhe dalldia kthehet në trend.
Imagjino, Fatos Lubonja, njësoj si Kim Mehmeti, e quan këtë “rrjedhje të trurit” si një reagim, e jo një simptomë, dhe e justifikojnë me mjete dhe organe që nuk kanë lidhje as me emigracionin, e as me politikën…