Sportistët tanë, kur dilnin jashtë shtetit pësonin një tronditje të thellë. Atje ku shkonin dallonin prapambetjen e thellë ku ndodhej Shqipëria. Mundoheshin gjithsesi që të blinin ndonjë magnetofon, orë etj. Me vete merrnin fshehurazi ndonjë dollar, “gjel”, për të blerë diçka më shumë nga “norma” etj. Ekipi i futbollit ”Flamurtari” i Vlorës, i famshëm në vitet ‘80, zhvilloi një ndeshje ndërkombëtare në Poloni dhe që u kthye në atdhe në datën 6.10.1988, nëpërmjet Rinasit.

Nga kontrolli doganor që iu bë, rezultoi se nga 19 pjesëtarë të ekipit, 8 prej tyre kishin kaluar normën me një vleftë mesatare 400 deri në 500 lekë për person. Dogana gjeti të hedhura nga sportistët 19 ora burrash dhe një unazë me orë elektronike. Po ashtu gjeti edhe një sasi 29.320 zlloti polak (rreth 65 dollarë amerikanë). Futbollistët vishnin sa më shumë rroba në kthim. Gjatë kontrollit në trup, një futbollisti shumë të njohur, iu gjet i veshur në trup një fustan nuseje.

Partia mori masa. U propozua që 14 futbollistë të mos luanin më me kombëtaren dhe çështjen ta diskutonin Komiteti i PPSH-së dhe Komiteti Ekzekutiv i Rrethit Vlorë. Por fajin nuk e kishin futbollistët.(K.Dervishi)