Mjeku neurolog në qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Drini Dobi, ishte ndër mjekët që nuk e fitoi dot betejën me koronavirusin. Ai ndërroi jetë në datën 9 dhjetor 2021, në Itali, ku edhe u dërgua për kurim më të specializuar. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, zv.ministrja Rakacolli, rektori i Universitetit Mjekësor Arben Gjata kanë qenë të pranishëm në Shërbimin Neurovaskular në Neurologji, tek QSUT. Sot këtij reparti iu vendos emri i mjekut të ndjerë që humbi jetën nga Covid-19, Drini Dobi. Të pranishëm ishin dhe familjarët e tij, të cilët nuk i mbajtën lotët.
Ogerta Manastirliu: Drini Dobin e kujtojmë me shumë respekt dhe dashuri. Ju keni humbur birin tuaj, ne kemi humbur një mjek të mrekullueshëm. Arben Gjata: Unë e kam të vështirë të flas sot, e kam thuajse të pamundur. Drini ishte i veçantë jo vetëm se ishte mjek i zoti, shok dhe koleg i afërt dhe i dashur, por sepse ishte njeri i rrallë. Të gjithë ne një ditë do largohemi nga kjo botë dhe e rëndësishme është se çfarë lëmë mbrapa dhe Drini ka lënë një emër, e ndaj të gjithë kanë respekt për të.
Mira Rakacolli: Ai diti që t’i ofrojë pacientëve jo vetëm kurim, por dhe dashuri. Ishte vërtet i veçantë. Ogerta Manastirliu: Drini nuk arriti ta fitonte betejën e jetës megjithëse ka fituar betejën më të madhe në jetë për të lënë prapa familje dhe fëmijë të mrekullueshëm dhe për të lënë pas një emër që do të kujtohet gjatë nga njerëzit e tij dhe pacientët. Fatkeqësisht kemi mbi 1900 jetë të humbura, ndër ta është dhe doktor Drini dhe mjekë të tjerë. Në këtë vit pandemie jam e bindur që jo vetëm unë,, por të gjithë ne së bashku kemi dhënë më të mirën nga vetja.
Doktor Drini shkonte në urgjencë në çdo orë, në reanimacion në çdo orë, ishte nga ata mjekë që nëse e merrje e pyesje për një pacient ai ngrihej e kishte për borxh në mes të natës të përgjigjej. Ky është misioni i një mjeku, t’i shërbente njerëzve në nevojë. Duke lënë ndoshta pas dore dhe aspekte të tjera të jetës personale dhe duke ia dedikuar 100% këtij profesioni.