Nga Fatjon Rupi/
Plot 20 vjet më parë, Shqipëria mundej 1-3 nga Anglia në “Qemal Stafën” e atëhershëm. Një ndeshje plot emocione, ku kuqezinjtë rezistuan për më shumë se 70 minuta, u ndëshkua nga Majkëll Ouen e më pas nga Pol Skolls. Altin Rraklli shënoi 2 herë më pas, por arbitri quajti të vlefshëm vetëm golin e parë dhe në fund anglezët shënuan edhe të tretin me Kol.
Në fushë në atë ndeshje ishte edhe mbrojtësi i njohur vlonjat, Geri Çipi. Nuk i pëlqen shumë të jetë i pranishëm në media pas tërheqjes nga futbolli, ku një pjesë të kohës ia merr edhe gjuaetia, megjithatë Çipi ka folur për Gazeta Si në lidhje me ndeshjen e sotme, duke theksuar se një barazim i mundshëm do ta gëzonte pa masë.
“Favorite për ta fituar ndeshjen është Anglia, nuk diskutohet, – thekson vlonjati. – Duhet ta shohim situatën siç është realisht. Nëse arrijmë t’i rrëmbejmë një pikë Anglisë, do të isha shumë i lumtur. Them ‘rrëmbejmë’ dhe jo ‘marrim’, sepse kjo e dyta është fjalë e madhe në këtë rast. Nodshta me pak fat dhe me ndonjë episod në favorin tonë, mund ta kalojmë më rezultat pozitiv këtë ndeshje.
Duhet të jemi shumë të kënaqur me një pikë, sepse nëse Shqipëria do të ketë 4 pikë pas dy ndeshjeve të para në grup, është diçka shumë e mirë për vazhdimësinë. Uroj të kemi pak fat dhe të bëjmë një ndeshje të mirë përballë një kundërshtari shumë të fortë”.
Çipi pohon se Kumbulla është një mungesë e madhe: “Kumbulla është një lojtar shumë i rëndësishëm dhe mungesa e tij peshon. Ai është lojtar që aktivizohet me një klub të madh dhe në këtë ndeshje do ta ndihmonte Kombëtaren. Megjithatë, shpresoj që ata që do të zbresin në fushë, të jenë të përqendruar dhe të japin gjithçka. Është nga ato lloj ndeshjesh, ku nëse e humb përqendrimin në një moment të vetëm, ndëshkohesh.
Skuadra duhet të jetë e karikuar nga minuta e parë deri në të fundit”.
Kur bën këtë konstatim, Çipi ka parasysh edhe ndeshjen e 2001-shit, kur anglezët goditën në fund. “Ne luajtëm mirë, por në fund Anglia, si ekip i madh, na ndëshkoi. Ata janë ekip i tillë, që edhe me një gjysmë rasti arrijnë ta fitojnë ndeshjen, ndaj dhe them se duhet vëmendje maksimale në çdo moment”, – thotë më tej ish-mbrojtësi, i cili ka luajtur me Mariborin ne Slloveni dhe me Eintrahtin e Frankfurtit në Gjermani.
A i mungon Kombëtares aktuale pak grintë vlonjate? Deri pak vite më parë ishin shumë vlonjatë kuqezi, Çipi, Fakaj, Skela, Aliaj, Myrtaj e Muka, tani është vetëm Memushaj. “Mendoj se grintën skuadrës ia jep grupi, jo individë të caktuar. Ndoshta në kohën tonë ishte pak më ndryshe, sepse lojtarët e Kombëtares ishin më afër njëri-tjetrit. Ne ishim kundërshtarë në fushë, por ishim shokë, kolegë dhe miq. Ishim më të lidhur si grup. Sot lojtarët e Kombëtares, përveçse shumë prej tyre kanë lindur dhe janë rritur jashtë, takohen më pak mes tyre, – shprehet Çipi.
Në fund edhe një batutë për vlonjatët e munguar me fanellën e Kombëtares: “Tani vlonjatë në Kombëtare kur të rriten fëmijët tanë, se Flamurtari…”