Nga Artur Ajazi/ Lulzim Basha ka nisur prej kohësh betejën për tu rikthyer në pushtet. Me bilancet më negative që mund të ketë një kryetar partie që ka 8 vite në opozitë, ai mundohet të nxjerrë nga “dheu” teori konspirative për të bërë të besueshme akuzat ndaj qeverisjes Rama, ndërkohë që kryeministri vetëm 48 orë më parë ka marrë përgëzime të tjera në Bruksel. Ai ka takuar me rradhë nga Presidenti Parlamentit Europian David Sassoli, apo Komisionerin për Zgjerimin Oliver Varhelyi, duke marrë prej tyre jo vetëm garancinë për hapat e mëtejshëm të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, (pas plotësimit të kushteve) por edhe premtimin për një vazhdimësi të gjatë dhe bashkëpunim më të frytshëm pas 25 Prillit.
Edi Rama, tanimë e ka të shtruar “trasenë” e fitores së mandatit të tretë, ndërkohë që kantieret e punës për ndërtimin dhe rindërtimin e qyteteve, lagjeve dhe banesave në zonat e prekura nga tërmeti, punojnë non-stop 24 orë. Pandemia dhe përballimi i saj me sa më pak dhimbje, ka qenë dhe mbetet prioriteti i qeverisë dhe kryeministrit Rama, kurse vaksinimi i popullatës sipas një plani të detajuar ka nisur dhe vazhdon me sukses. E vetmja “borie” që bie tam-tam gjithë ditën e gjithë natën mes këtij vrulli pune dhe angazhimesh, mbetet ajo që del nga Partia Demokratike, dhe që shoqërohet banalshëm nga “melodia” e çjerrë e kreut të shtetit, jo në detyrë. Edi Rama po i përmbahet si burrë shteti një betimi të madh, për të bërë Shqipërinë. Dhe ky mision historik, nuk bëhet me gjumë por me punë, nuk bëhet me hatërllëqe kunetërish dhe baxhanakësh,por me reforma të pakthyeshme drejt sfidave dhe së pamundurës, për të fituar jo vetëm kohën e humbur, por edhe besueshmërinë e votës së shqiptarëve.
Edi Rama në 25 Prill, ka përballë kapanonin e gjumashëve dhe celulën e mashtruesve, ka përballë ish-pushtetarët e së keqes dhe mesjetarët e kohëve moderne, dhe do të fitojë. Alternativa e koalicionit të gjumashëve dhe mashtruesve mbetet “rikthimi në pushtet me çdo mjet”, kurse Edi Rama kërkon me të drejtën morale dhe ballin lart, mandatin e tretë, për të vazhduar dhe përfunduar projektet e transformimit rrënjësor të vendit.Duke renditur pa mburrje dhe eufori arritjet e këtyre dy mandateve të para, Edi Rama do të deklaronte se “janë plot beteja të tjera që nuk mund të lihen në mes, sepse asnjë tjetër sot për sot, përveç meje e Partisë Socialiste nuk ka as çerekun e fuqisë së ambicies, vullnetit, dijes dhe eksperiencës që ne kemi fituar në drejtimin e vendit, të mos e harrojë askush, që të nesërmen e tërmetit edhe më optimistët thoshin se rindërtimi kushedi kur do të bëhet…apo dhe se pandemia do të na gjunjëzojë”. Në kohë krizash, politikani i përgjegjshëm, nuk kërkon pushtet me një listë të gjatë premtimesh që nuk ka mundësi kurrë ti realizojë, por reflekton dhe vlerëson me objektivitet çdo mundësi që lehtëson hallet dhe problemet e popullit. Historia e Edi Ramës është e shkruar me punë dhe premtime të mbajtura, ashtu si ajo e Partisë Socialiste, që mbetet një forcë politike potencialisht e përgjegjshme
.E ndërsa tranzicionit të gjatë i ka ardhur fundi,e veçanta që ka ndodhur në mentalitetin e votuesit shqiptar mbetet fakti, se po vlerësohet gjithnjë dhe më shumë punëbërësi dhe jo dembeli, fjalëmbajturi dhe jo mashtruesi, i afti dhe jo mediokri. Përrallave me “pishtarë dhe ithtarë të demokracisë”, apo me “koalicione fitoresh” për të kapur ca vota më shumë, apo rikthyer në pushtet u ka dalë boja. Koha e tyre ka mbaruar, kjo është koha e Ramës.