“Emocionuese”, kështu e përshkroi Jurgen Klopp shortin e Ligës së Kampionëve. Ekipi i tij, Liverpooli do të ndeshet në çerekfinale me Real Madridin. “Reds” do të përballen me “Los Blancos” më 6 prill në Spanjë dhe më 14 prill në Angli. Ky është takimi i parë mes tyre që nga finalja e Champions Leagues në Kiev, të cilën Real Madridi e pati fituar me rezultat 3:1.
Trajneri Jurgen Klopp tha se kjo ndeshje do të jetë emocionuese dhe padyshim short i vështirë. “Është emocionuese. Është padyshim një short i vështirë, por unë jam mirë me të, sepse nëse shikon të gjitha ekipet e tjera mendon, ‘O Zoti im’ sepse të gjitha janë të forta dhe të gjitha kanë cilësi, kjo është e qartë. Unë me të vërtetë po pres me padurim ndeshjet” – tha Klopp për faqen zyrtare të Liverpoolit.
“Vetëm pak më shumë se dy vjet më parë u përballëm me ta dhe ishte një natë e vështirë për ne, kështu që të kesh shansin për t’u ndeshur përsëri është shumë mirë” – u shpreh tekniku gjerman. Kujtojmë se në atë finale, Ramos lëndoi keq Salahun, kurse portieri i Liverpoolit atëbotë, Loris Karius bëri dy gabime të tmerrshme që rezultuan me gola.