Shumë liderë botërorë po tregohen sot të kujdesshëm për të mos shtuar panik për lidhje ende të pakonfirmuara nga shkenca, mes disa vdekjeve dhe vaksinës AstraZeneca. Pezullimi i disa lotëve të vaksinës së lirë dhe të lehtë për tu shpërndarë falë specifikave të saj të ruajtjes në temperatura jo shumë të ulëta, është bërë për arsye sigurie. E megjithatë të gjithë tregojnë kujdes në deklarata. Kryeministri italian Mario Dragi thotë se ritmi nuk do të ulet çfarëdo vendimi të merrte Agjencia Europiane e Barnave.
Ndërsa OBSH tha sot se duhet të vazhdojë vaksinimi. Por në Shqipëri ish kryeministri Sali Berisha një mjek me profesion, pavarësisht se e di mirë se çdo vaksinë mund të ketë disa efekte anësore, i quan ato ndërlikime serioze nga Astra Zeneca në Shqipëri. Në një postim në Facebook, Berisha akuzon kryeministrin Rama se po fsheh këto pasoja të tilla si mos dalja në punë e disa mësuesve të nesërmen e vaksinimit në Durrës me temperaturë mbi 38 gradë.
Zyrtarisht mësohet se mësuesit sot janë paraqitur në punë pa probleme. Berisha përhap kështu alarm dhe panik mbi fakte të paprovuara që sipas tij janë denoncuar nga qytetaret për temperaturë pas vaksinës, një efekt anësor ky i paralajmëruar pothuaj për çdo lloj vaksine gjë që si ish mjek Berisha duhet ta dijë më mirë se qytetarët digjitalë. Ai shkruan gjithashtu se pas vaksinës është ndjerë keq dhe ish-kryetari i Bashkisë Bulqizë “Melaim Damzi” kandidat i PS në qark.
Mësohet se Damzi ka patur probleme me tensionin e lartë pas një takimi elektoral dhe është dërguar për ndihmë mjekëore, probleme këto që nuk kanë lidhje me vaksinën të cilën e kishte bërë një javë më parë. Top Channel/