Kompania kineze “Shenzhen Yuanxing Gene-tech” do të prodhojë mbi 60 milionë doza të vaksinës ruse kundër COVID-19, Sputnik V. Sipas Anadolu Agency, Fondi Rus i Investimeve Direkte, RDIF thotë se marrëveshja mbi këtë tashmë është nënshkruar, ndërsa prodhimi fillon në maj.
Rusia është vendi i parë që regjistroi një vaksinë kundër koronavirusit për përdorim publik. Vaksina Sputnik V jepet në dy doza dhe mund të kombinohet me antigjene të tjera, përfshirë ato që përdoren kundër gripit. Dallimi në doza është lloji i adenovirusit që përdoret për të shpërndarë vaksinën në qeliza.
Revista mjekësore The Lancet raportoi se rezultatet paraprake të hulumtimit të fazës 3 të Sputnik V treguan efikasitet prej 91,6 për qind me dy doza të vaksinës.