Ministria në detyrë e Shëndetësisë në Kosovë tha se është në pritje të “konfirmimit final” nga COVAX për marrjen e dozave të para të vaksinës kundër koronavirusit. Në komunikatën e Ministrisë thuhet se “COVAX ka publikuar në ueb-faqen e tij edhe itinerarin e shpërndarjes së vaksinave për vendet përfituese” dhe se Kosova “do t’i fitojë 100,800 doza të vaksinës AstraZeneca në tre mujorin e parë të vitit.
Komunikata, e nënshkruar edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe zyrat e OBSH-së dhe UNICEF-it (Fondacionit për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara), thotë se autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë kontaktuar edhe me shtetet e Bashkimit Evropian, edhe me prodhuesit e vaksinave për sigurimin e dozave të para. Këtu përmendet komunikimi i ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, me kompaninë prodhuese të vaksinës, Pfizer. Më 8 janar, thuhet në komunikatë, Ministrisë së Shëndetësisë i është konfirmuar se 500,000 vaksina të Pfizerit janë ndarë për Kosovën. “Edhe pse Ministrisë i është thënë nga përfaqësuesit e Pfizerit se marrëveshja është e gatshme dhe do të dërgohet për nënshkrim, Ministria e Shëndetësisë s’e ka marrë ende marrëveshjen në fjalë dhe nuk është shpjeguar nga kompania në fjalë se përse ka vonesa në këtë drejtim”, thuhet në komunikatë.
Përtej negocimit me Pfizerin, Ministria në detyrë e Shëndetësisë e Kosovës tha të hënën se ka arritur pajtim edhe me shtetin e Austrisë për sigurimin e 600,000 vaksinave, të cilat thuhet se do të mund të merren pasi shteti austriak t’i ketë bërë blerjet e vaksinave për vete. Në komunikatë po ashtu thuhet se angazhimet e BE-së për t’i ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor për sigurimin e vaksinave kundër koronavirusit, deri më tani, nuk kanë rezultuar me sigurimin konkret të dozave të para, “përkundër ndarjes së një shume të konsideruar të mjeteve financiare për këtë qëllim”. Kosova është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka nisur ende vaksinimin kundër koronavirusit.