OSHEE synon të kalojë në 20 kV rrjetin e tensionit të mesëm dhe atij të mesëm e të ulët si dhe të rrjetit të ulët me ABC linja në zonën e Bërdicës, investim i cili mbyllet brenda 102 ditëve.Janë gati 1.3 milionë dollar të investuara në këtë projekt, nga i cili përfitojnë rreth 4000 qytetarë të zonës. Tre degëzimet e reja shpërndajnë energji në të gjithë zonën, teksa projekti siguron shpërndarje më të mirë të energjisë.
Ilir Beqja tha se ka 8 kontrata në të gjithë qarkun të cilat janë në zbatim, duke theksuar se në 6 vjet kanë arritur të investojnë në qarkun e Shkodrës rreth 20 milionë dollarë dhe kanë përmirësuar cilësinë e furnizimit për rreth 70 mijë banorë. “Investimi i rëndësishëm që pritet dhe është vetëm çështje ditësh është nënstacioni i Velipojës, me 4 milionë dollar investim, duke iu shtuar rrugës së përfunduar të Velipojës, rrugës Shëngjin-Velipojë dhe vetë nënstacioni elektrik në Velipojë, ndërkohë që ka përfunduar edhe impianti i ujërave të zeza. Velipoja nga pikëpamja turistike është shumë mirë,” përfundoi Beqja, duke shtuar se rrjetet ku po ndërhyhen kanë 40-50 vjet që nga koha e elektrifikimit si dhe duke përmendur punën e shkëlqyer që është bërë me kaskadën.
Kryeministri Rama tha se në raport me çfarë duhet të jetë ka ende shumë për të bërë, sepse kur morën detyrën, OSHEE ishte gropë e madhe dhe të gjithë këto linja ishin në mëshirë të fatit që nga koha e elektrifikimit, por se në raport me ku ishte, ndryshimi është nata me ditën.