Nga Ylli Pata

Prej mëngjesit të sotëm ka nisur një valë linçimi ndaj aktorës së njohur Tinka Kurti, pasi ajo ka dalë me zë dhe me figurë si një dëshmi e spotit të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 prillit. Një linçim që nuk po kursen asnjë fjalë të rëndë në fjalorin shqiptar, thjesht e vetëm se Tinka Kurti dhe Robert Ndrenika kanë dalë në një spot televiziv realisht komercial të partive politike. Të dy figurat e mëdha të artit shqiptar kanë qenë në fillimet e 30 vjeçarit postkomunist përkrahës të PD-së.

Tinka Kurti ka qenë dëshmitare e gjatë e historisë politike të PD-së, që nga viti 1991, duke qenë pjesë e grevës së urisë së minatorëve që kërkonin rrëzimin e Qeverisë “Nano”. Ndërkaq, Robert Ndrenika ka qenë deputet i Partisë Demokratike dhe një përkrahës i saj për një kohë të gjatë. Dëshmia e tyre në spotin e Partisë Socialiste, natyrisht që do të sillte një kundërshti, por politikisht kjo nuk duhet të sjellë një linçim.

Robert Ndrenika dhe Tinka Kurti janë artistë që reputacionin e tyre e kanë të gdhendur ndër vite, janë emra që në të gjithë diapazonin politik shqiptar, edhe pse kanë pasur pakënaqësi, kurrë nuk janë linçuar. As Tinka kur ka mbështetur PD-në, as Ndrenika kur ka qenë deputet i kësaj force politike. Sot të dy janë në atë fazë të moshës dhe historisë së jetës që nuk kanë përse të shtyhen për të pasur lëvizje pragmatiste; janë në moshën e thyer, ku secili ka pasur historitë e tyre, e çdo linçim e sulm se këto zgjedhje bëhen për çështje jashte asaj që hyn në bindjen e aktorëve të mëdhenj, nuk qëndrojnë.

Një mik i imi në Facebook, kundërshtar i Edi Ramës, kishte postuar një status që e kritikonte rëndë Tinka Kurtin. Siç e kishin bërë mjaft të tjerë që janë përkrahës të dukshëm të Sali Berishës. Unë, që asnjëherë nuk ju përgjigjem qëndrimeve të tilla të polarizuara, kësaj herë i ndërhyra me një pyetje: A do të ishte reagimi i tillë nëse Tinka Kurti do të ishte dëshmitare në një spot të PD-së? Përgjigja nga miku im në rrjetin social ishte që e njëjtë do të ishte përgjigja. Por në të njëjtën kohë, një përkrahës i opozitës më sulmoi egërsisht, duke më kërkuar që unë duhet të dal i maskuar në publik sepse shkruaj për gazetën TemA.

Ju përgjigja se shkrimet e mija në TemA janë zgjidhje personale dhe jo urdhër politik, por logjika militante që merr urdhëra nga qendra nuk i përgjigjet dot. PD dhe LSI sot ka vendosur të sulmojë si Tinka Kurtin, por edhe ato që Tinka Kurtin e mbrojnë. Por gjithsesi pyetja mbetet pa përgjigje: A do të ishte i njëjti reagim nëse Tinka Kurti dhe Robert Ndrenika do të shfaqeshin në spotet e Partisë Demokratike?

Jo fare, madje do të cilësohen si shqiptarë të mëdhenj, intelektualë që janë vlera për vendin, njerëz me përmasa gjigandeske. Qesharake! Njerëz fanatikë, që nuk arrijnë të kuptojnë thelbin e demokracisë; secili ka mendimin e vet, dhe për këtë nuk mund të sulmohet. Nëse ndodh kjo është jo demokratike, dhe që i ngjan dacibaove komuniste. Pak muaj më parë me epitetet si komunistë e marksistë ata sulmonin edhe Joe Biden, presidentin e SHBA.

Nuk lanë fjalë pa e sharë. E përse? Thjesht për t’i bërë qejfin Sali Berishës! TemA