Kemi vlera themelore të përbashkëta me SHBA dhe kjo është e padiskutueshme, deklaroi kancelarja gjermane, Angela Merkel. ”Por në Europë ne gjithashtu kemi interesat tona”, theksoi ajo pas Këshillit Europian duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me deklaratat e Joe Biden mbi Kinën. “Pyetja për Kinën është se si t’i ndajmë së bashku vlerat dhe interesat”, shtoi ajo.

Për kancelaren Merkel “duhet të ketë një politikë europiane për Kinën. Me SHBA kemi shumë gjëra të përbashkëta, por jo identitet pikëpamjesh”. Presidenti i SHBA, Joe Biden theksoi se ”Kina po përpiqet të bëhet vendi më i fuqishëm në botë, por kjo gjë nuk do të ndodhë nën kontrollin tim”.

”Unë e njoh presidentin kinez Xi Jinping prej një kohë të gjatë, ai është një burrë i zgjuar dhe ne biseduam për dy orë dhe ia bëra të qartë se ne nuk duam një luftë, por një garë, një garë të ndershme”, deklaroi presidenti amerikan Joe Biden para gazetarëve.

“Unë shoh një konkurrencë të ashpër me Kinën”, u tha Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë në një seancë pyetjesh dhe përgjigjesh kryesisht të dominuara nga shqetësimet e brendshme, por gjithashtu duke prekur pikat e nxehta të politikës së jashtme.

“Kina ka një qëllim të përgjithshëm… të bëhet vendi kryesor në botë, vendi më i pasur në botë dhe vendi më i fuqishëm në botë. Kjo nuk do të ndodhë para syve të mi”, tha ai.