Ditën e sotme, në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Abdyl Paralloi” në Elbasan u zhvillua Ceremonia e Prezantimit të Rrjetit të Mësuesve (TeacherNet), në kuadër të projektit të Këshillit të Evropës “Forcimi i Edukimit për Qytetari Demokratike në Shqipëri”, i financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA).
Në këtë aktivitet që u zhvillua në vigjilje të 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, morën pjesë Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë Jutta Gützkow, Ambasadorja e Suedisë në Shqipëri Elsa Håstad, Avokati i Popullit Erinda Ballanca, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda, mësues të edukimit të qytetarisë demokratike dhe shkencave humane, përfaqësues nga shoqëria civile etj.
Aktiviteti synoi të njohë dhe vlerësojë rolin e mësuesve në promovimin e edukimit për qytetari demokratike dhe të drejtat e njeriut, të cilët i përgatisin nxënësit të jenë qytetarë aktivë e të denjë në një shoqëri demokratike.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Ministrja Evis Kushi falënderoi fillimisht organizatorët për zhvillimin e këtij aktiviteti në Elbasan. Kjo sipas saj, jo për faktin që është nga Elbasani, por për arsye se Elbasani ka një lidhje të fuqishme dhe të hershme me arsimin.
“Siç e dini, në vitin 1909 është ngritur shkolla e parë e mesme në gjuhën shqipe që ka formuar për vite e vite të tëra mësues të jashtëzakonshëm, të cilët kanë dhënë një kontribut në edukimin e brezave” – u shpreh ajo.
Duke shprehur mirënjohjen për partnerët si Këshilli i Europës dhe SIDA për këtë projekt, Ministrja Kushi u ndal edhe tek rëndësia që ai ka në vlerësimin e figurës së mësuesit: “Sot mësuesit e shekullit të 21-të i edukojnë nxënësit edhe me ndjenjat dhe vlerat më të mira të qytetarisë dhe demokracisë, po ashtu edhe për të drejtat e njeriut. Mësuesit tanë jo vetëm i mësojnë njohuri në disiplina të ndryshme nxënësit, por i edukojnë me vlera shumë të larta të qytetarisë dhe demokracisë”.
Ndërkohë, Ministrja Kushi vlerësoi maksimalisht edhe rolin e mësuesit gjatë kësaj periudhe, ku sipas saj: “Të gjithë jemi dëshmitarë që mësuesit janë heronjtë tanë, me punën e jashtëzakonshme që po bëjnë. Ata janë në vijën e parë të sakrificës. Ne prindërit e pamë shumë mirë se sa e rëndësishme është puna e mësuesit, sa vlerë ka puna e tyre. Edhe nxënësit nga ana tjetër, akoma më shumë e vlerësuan kontributin e mësuesve”.
Ndër të tjera, ajo u shpreh gjithashtu se është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë të punojmë për të lartësuar figurën e mësuesit, teksa cilësoi se gjatë gjithë këtyre viteve është punuar intensivisht për këtë aspekt:
“Së pari, kemi vendosur që nxënësit më të mirë, apo maturantët më të mirë do të jenë ata që shkojnë për mësuesi, duke vendosur si kriter notën mesatare. Sepse të gjithë duam që mësuesit të jenë më të mirët. Për punësimin e mësuesve, ne kemi vendosur transparencë dhe meritokraci nëpërmjet portalit ‘Mësues për Shqipërinë’. Po ashtu edhe rritja e pagave të mësuesve. I kemi rritur 3 herë vitet e fundit, por unë jam e sigurt që mësuesit meritojnë akoma më shumë dhe kjo do të jetë vëmendja jonë edhe në vitet e ardhshme” – shtoi ministrja.
Ndër të tjera, ajo theksoi gjithashtu se: “Një sfidë shumë e rëndësishme mbetet kualifikimi i mëtejshëm i mësuesve, aftësitë profesionale dhe trajnimet e tyre. Këtu falënderoj partnerët tanë siç është Këshilli i Europës, “UNICEF Albania”, “Save the Children” e shumë organizata të tjera që po na ndihmojnë edhe në këtë periudhë për të trajnuar mësuesit në lidhje me teknologjinë dhe aftësitë e reja që kërkon realiteti dhe sfidat aktuale”.
E nderuar të merrja pjesë në Ceremoninë e Prezantimit të Rrjetit të Mësuesve (#TeacherNet) në shkollën 9-vjeçare “Abdyl…
Posted by Evis Kushi on E mërkurë, 3 Mars 2021