Në kuadër të 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka realizuar një telefonatë surprizë urimi për Znj. Lumni Shashaj, mësuesen e saj të Frëngjishtes dhe kujdestare gjatë viteve në gjimnazin “Dhaskal Todri” në Elbasan.
Gjatë bisedës në telefon, Ministrja Kushi e falënderon shumë nga zemra mësuesen për punën e përkushtimin. Në anën tjetër, mësuesja në pension Lumni Shashaj e falënderon Znj. Kushi që e kujton ndërmjet të gjithë atyre nxënësve që ka pasur ndër vite.
Ministrja Kushi i shprehet mësueses se “do të kisha dashur shumë të të sillja një tufë me mimoza, por për shkak të pandemisë dua të kujdesem për shëndetin tënd në radhë të parë”.
Ndërkohë, Znj. Kushi zbulon edhe një fakt të pathënë më parë se gjuhën frënge e ka dashur vetëm falë mësuese Lumnit dhe për mënyrën se si e ajo e shpjegonte.
Në fund, Ministrja Evis Kushi i shpreh serish mirënjohjen mësueses së saj të gjimnazit:
“Gëzuar 7 Marsin dhe shumë mirënjohje për gjithçka, për mua, për të gjithë shokët e shoqet e mia të klasës dhe për të gjithë brezat që kanë kaluar”.