Këshilli i Ministrave ka vendosur që të gjitha ndërtimet pa leje që do të preken nga procesi i rindërtimit do të kompensohen 100% metrat katror. Në vendimin e miratuar një ditë më parë thuhet se të gjithë qytetarët, të cilëve ju është shembur banesa, do të përfitojnë sipërfaqja ndërtimore në objektet e reja për banim, sa 100% e objektit të tyre pa leje. “Pika 8, e vendimit nr.8, datë 6.1.2020, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon: “8. Sipërfaqja ndërtimore në objektet e reja për banim, që përfitojnë poseduesit e ndërtimeve pa leje, është 100 për qind e sipërfaqes së objektit pa leje”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Në vendimin e mëparshëm qeveria kishte përcaktuar që të kompensonte vetëm 50% të sipërfaqes së ndërtimit pa leje. “ Sipërfaqja ndërtimore në objektet e reja për banim, që përfitojnë poseduesit e ndërtimeve pa leje, është 50 për qind e sipërfaqes së objektit pa leje ose sipas normave në fuqi sipas legjislacionit për strehimin social, cila të rezultojë sipërfaqe më e madhe”, thuhej në vendimin e mëparshëm të qeverisë.

Rindërtimi vijon në të gjitha bashkitë e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, dhe i gjithë procesi pritet të mbyllet në maj të vitit 2022, siç ka deklaruar më herë ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj për Report TV.