Profesori i Universitetit të Kembrixhit, Sir David Spiegelhalter këmbëngul se mosvaksinimi i njerëzve do të kushtojë jetë, shkruan Nick Triggle për BBC. Një numër vendesh kanë vendosur të pezullojnë përdorimin e vaksinës Oxford-AstraZeneca si një masë paraprake pas raporteve që disa njerëz kanë pësuar mpiksje gjaku pasi iu është dhënë doza e parë. Por, a është ky rasti për të qenë tepër të kujdesshëm? A u mungon këtyre vendeve pamja globale? Vendimi është marrë në bazë të parimit parandalues - një qasje e mirëvendosur në shkencë dhe mjekësi – që thekson nevojën për të ndaluar dhe rishikuar kur provat janë të pasigurta. Por, në një pandemi si kjo, kur secili vendim mund të ketë pasoja të mëdha, është një qasje që mund të bëjë më shumë dëm sesa dobi.
Shkak apo rastësi? Të dhënat e siguruara nga AstraZeneca tregojnë se ka pasur 37 raporte të mpiksjes së gjakut në mesin e 17 milionë personave në të gjithë Europën, të cilëve u është bërë vaksina. Por, pyetja kryesore që duhet të shtrohet është nëse kjo është shkak apo rastësi? A do të kishin ndodhur gjithsesi këto mpiksje? Ngjarje të padëshiruara si kjo po monitorohen me kujdes, kështu që rregullatorët mund të vlerësojnë nëse po ndodhin më shumë sesa duhet. 37 raportet e mpiksjeve janë nën nivelin që pritet. Për më tepër, nuk ka ndonjë shpjegim të fortë biologjik pse vaksina do të shkaktonte mpiksje gjaku.
Kjo është arsyeja pse Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe rregullatorët e barnave në BM kanë thënë të gjithë se nuk ka prova të një lidhjeje. Edhe Agjencia EUropiane e Barnave, e cila po shqyrton raportet, ka sugjeruar që vaksina duhet të vazhdojë të përdoret, ndërkohë duke pasur parasysh rrezikun që paraqet Covid-19 për shëndetin.
Prandaj, për çudi, vendimet nga shtetet individuale për të ndalur shpërndarjen e tyre kanë hutuar ekspertët. Profesori Adam Finn, një anëtar i grupit punues të OBSH-së për vaksinat Covid, thotë se ndalimi i përdorimit në këtë mënyrë është “shumë i padëshirueshëm” dhe mund të minojë besimin te vaksina. “Marrja e vendimit të duhur në një situatë si kjo nuk është aspak e lehtë, por mbajtja e situatës nën kontroll është ndoshta gjëja më e domosdoshme”, thekson Finn.
A ka Europa një problem me vaksinën? Kjo nuk është hera e parë që vendet në Europë ushtrojnë kujdes në lidhje me vaksinën AstraZeneca. Parimi i parandalimit u miratua nga Gjermania, Franca dhe të tjerët kur fillimisht nuk rekomanduan përdorimin e vaksinës për moshat mbi 65 vjeç. Presidenti francez Emmanuel Macron madje e quajti atë “pothuajse joefektive”. Vendimi për mbi 65-vjeçarët tani është përmbysur, por ndikimi ende po ndihet siç duket. Gjermania dhe Franca kanë furnizime të vaksinës që do të shkojnë dëm, pasi dy vendet kanë përdorur më pak se gjysmën e furnizimeve të tyre të AstraZeneca deri tani. Kjo i ka lënë ata shumë më të varur nga vaksina Pfizer sesa Britania e Madhe.
Dhe kjo po kërcënon të ketë pasoja vd ekjeprurëse. Franca, Gjermania dhe vendet e tjera të mëdha europiane kanë të gjitha nivele më të larta të infeksionit sesa Britania e Madhe dhe po përballen me gjëra që po përkeqësohen para se të përmirësohen.
Pse vendimmarrja e guximshme mund të jetë më e mira? BM e pa këtë dhe hodhi hapin – dhe brenda muajsh raportoi rezultate “spektakolare” në nivele të reduktuara të sëmundjes në moshën mbi 80-vjeçare. Ishte kjo qasje pragmatike ndaj vendimmarrjes që bëri që BM të rekomandojë deri në një pauzë tre mujore midis dozave. Kjo shkaktoi shumë polemika kur u njoftua në fund të dhjetorit. Vaksina Pfizer nuk u testua kështu dhe pauza ishte tri javë. Profesori i Universitetit të Kembrixhit, Sir David Spiegelhalter thotë se kjo tregon se ndonjëherë ju duhet të shikoni përtej parimit të parandalimit dhe të jeni të guximshëm në vendimmarrjen tuaj. “Parimi i parandalimit favorizon mosveprimin si një mënyrë për të zvogëluar rrezikun. Por problemi është se këto nuk janë kohë normale dhe mosveprimi mund të jetë më i rrezikshëm se veprimi”, thekson ai.
Ajo që nevojitet në rrethana si këto, sipas tij, është të përpunojmë atë që ka shumë të ngjarë në ekuilibrin e probabilitetit. Kjo kërkon të shikosh provat direkte dhe indirekte dhe kontekstin në të cilin po merren vendimet. “Ndonjëherë mund të jetë e dëmshme të presësh për siguri. Mosvaksinimi do të kushtojë jetë njerëzish”, këmbëngul Spiegelhalter.