Në kryeqytetin e Shqipërisë sot ka nisur përgatitja e Tortës së Pavarësisë, e cila pasi të kryhet do të vendoset në pjesën e përparme të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në këtë punë janë angazhuar 150 persona, ndërsa çdo ditë do të përgatiten rreth 1 200 pandispanja. Për përgatitjen e saj do të duhen 2 379 kg miell, 38 064 kokrra vezë, rreth 1 770 kg sheqer, 20 kg vanilje, 500 kg shegë. Sipas Bashkisë së Tiranës, torta do të jetë e përbërë nga disa shtresa, shtresa e parë do të fillojë me pandispanjën dhe do të laget me sherbet me shije të rrushit, më pas do të hidhet kremi i pastiçerisë, më pas do të mbulohet sërish me pandispanjë dhe shurupin e rrushit sërish, do të mbulohet me krem pastiçerie, me glase dhe me shegë.

Nga Sander Lleshaj

Nuk mund të kishte skenë më surreale. Një tip i stresuar bërtiste në mikrofon „Lulëzim!“ me shpresën e kotë që të merrte si jehonë një „Basha!“ nga turma. Më pas i njëjti urdhëronte me tërsëllimë që t’u bihej borive, të tundeshin vetëm flamujtë kombëtarë një herë, e më pas vetëm ato të partisë, të ndizeshin celularët.

Një tallava e hatashme në mes të pandemisë që të sillte ndërmend shqyerjen e ububushme të tortës së pafat të 2012-ës, aq të pafat sa edhe qingjat e mjerë që u therën për të njollosur momentin e madh të 100 vjetorit të shtetit shqiptar, por dhe për të na treguar se në duart e kujt e kishim lënë fatin tonë.

Kisha shpresuar tek një efekt pozitiv i pandemisë. Shpresoja që ajo, të paktën, do të kishte mbyllur kapitullin e turpshëm të mitingjeve elektorale të këtyre tridhjetë viteve.

Por nuk paska qenë e thënë! Hapja e fushatës elektorale të Partisë Demokratike vetëm sa na provoi se mentaliteti arkaik i mitingjeve masive është ende gjallë.

Mitingjet masive, që lindën në fillim të shekullit të kaluar, si mënyra për të përcjellë mesazhe politike në kushtet e mungesës së mjeteve të komunikmit masiv, vijojnë të mbijetojnë si atavizma në Shqipërinë e shekullit të 21-të. Falë PD-së.

Partia Demokratike na dha një shembull tjetër të shëmtuar të pamundësisë organike të saj për të ardhur në këtë shekull. Në pamundësi dëshpëruese për të sjellë risi, PD vetëm sa kontaminoi rrezikshëm Sheshin „Nënë Tereza“ me gaz karbonik dhe me virus, duke pretenduar se shkelja e ligjit dhe rrezikimi i jetës së njerzëve janë gjetje inovatore.

Duhet një sforcim i madh mendor për të kuptuar arsyen e mbushjes së sheshit me makina dhe me militantë në një shfaqje absurde papërgjegjshmërie. Partia Demokratike rreket të bindë shqiptarët se do të mbajë flamurin e sundimit të ligjit, por provoi në fakt krejt të kundërtën, atë që ajo di të bëjë më mirë: anarkinë dhe shpërfilljen e ligjit.

Përzierja e rrezikshme e militantëve, llamarinës, tymit dhe virusit ishte një dëshmi e shëmtuar e ofertës antiligjore që PD u paraqet shqiptarëve sot. Ajo dëshmoi edhe një herë se për atë ligji nuk ekziston. Ajo ka udhëhequr rregullisht instiktet e turmave kundër ligjit, duke e zhytur vendin disa herë në anarki, pasojat e të cilës vijojnë të dëmtojnë edhe sot jetën e shqiptarëve.

Por tallavaja e sotme e pati edhe nje efekt pozitiv. Për ata që kishin donjë dilemë se çfarë të bëjnë me 25 prill, PD tregoi se ajo vjen në këto zgjedhje pa asnjë ndryshim. Me të njëjtën alternativë, me të njëjtin ekip, me të njëjtën apati, madje edhe me të njëjtën koerografi banale.

Por mbi të gjitha: PD vjen me të njejtën papërgjegjshmëri përballë qytetarëve, ligjit dhe shtetit.

Alternativa e PD-së është një rikthim në vitin 2013.