Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero e cilësoi si lajm të mirë për parlamentarizmin në vend ftesën e bërë nga kryeministri Edi Rama shefes së shërbimit të Infektivit, Najada Çomo për të qenë kandidate për deputete, por lajm i keq për shërbimin infektiv ku Çomo kontribuon aktualisht.
Gjatë një interviste në medie, Pipero tha se si mjekë “ndjehemi të përfaqësuar”. “Unë besoj se ky është një lajm i mirë për parlamentin. Është një lajm jo i mirë për Infektivin se Najada është një nga shtyllat kryesore, ka eksperiencën përkushtimin. Ka dhënë dhe po vazhdon të japë. Fakti që u thirr nuk na bën xheloz por ndihemi të përfaqësuar”, tha Pipero.
Në lidhje se a do të pranonte ai vetë një ftesë nga forcat politike për të kandiduar në këto zgjedhje, Pipero tha se mund të jepte një përgjigje hipotetike, pasi nuk e kishte një ftesë të tillë. “Kam diskutuar disa herë me familjen time dhe kolegë të mi. Mendoj se nuk është koha e përshtatshme për t’iu futur rrugës së politikës. Na duhet ende shumë punë, mund, djersë e sakrifica për ta mundur pandeminë”, tha ai duke apeluar për zbatimin e rregullave antikovid.