Më 28 mars në Tiranë do të luhet ndeshja Shqipëri-Angli. Pak ditë më parë Federata Shqiptare e Futbollit i dërgoi një letër qeverisë shqiptare për të lejuar që në stadium gjatë ndeshjeve të lejohet 30 % e tifozëve ashtu siç e lejon edhe UEFA. Por Ministria e Shëndetësisë, e konsideron rrezik të lartë për përhapjen e virusit, ndaj e ka refuzuar kërkesën e FSHF.
“Zhvillimi i këtij aktiviteti sportiv me pjesëmarrje të spektatorëve konsiderohet me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e infeksionit Covid-19, kjo për shkak se shoqërohet me grumbullime njerëzish. Duke parë situatën epidemiologjike, në kushtet e numrit të lartë të rasteve të reja të infektimeve me Covid-19, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk e miraton kërkesën tuaj”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.