Në Ditën e Verës Kryeministri Rama ka zgjedhur që të publikojë në rrjetet sociale një video-prezantim të njërës prej kandidateve të Partisë Socialiste në Elbasan, Briseida Gjoza, e radhitur e 11 në këtë qark.

Në video flet vetë kandidatja Gjoza e cila rrëfen eksperiencën profesionale të deritanishme si dhe prioritetet për Elbasanin. Gjoza shprehet se e sheh politikën si një ekip dhe hapësirë që i bën njerëzit bashkë për të bërë të pamundurën të mundur.

“Unë jam Briseida Gjoza. Jam lindur dhe rritur në Elbasan dhe kandidoj për Qarkun e Elbasanit. Kam kryer studimet e larta në universitetin amerikan në Bullgari për administrim biznesi dhe studime evropiane. Pas diplomimit kam punuar në një organizatë ndërkombëtare në Barcelonë dhe gjatë prezantimit të projektit jam përzgjedhur si person përgjegjës për të hapur zyrat e UNESCOS në Senegal, në Afrikë. Më pas kam vijuar të punoj në sektorin privat fillimisht në një kompani sllovene si menaxhere dhe më pas si drejtuese e shitjes. Pas rikthimit në Shqipëri kam punuar si menaxhere dhe konsulentë në sektorin privat. Larmia e eksperiencave profesionale dhe personale sigurisht që ka ndikuar në mënyrën si mendoj gjërat. Unë besoj shumë në frymën në ekip dhe skuadër. Unë kështu e shoh politikën. E shoh si një grupim dhe si një hapësirë që njerëzit me vullnet, pasion dhe dëshirë të bëhen bashkë për të bëhen të pamundurën të mundur. Tashmë kontributi im për qytetin e Elbasanit ka nisur. Unë jam kryetare e Aleancës së Grave këshilltare bashkiake dhe dua që këtë kontribut ta çoj përpara. Do doja shumë të shërbeja si model për të rinjtë për të kuptuar që mundesh me patjetër, me shumë punë të arrish, dhe të jesh kudo dhe kurdo por është shumë e rëndësishme se ku t’i utilizosh dhe ku t’i vendosësh këto energji. Unë kam vendosur t’i vendos në vendin tim, në Elbasan. Ka shumë hapësirë për zhvillim të të rinjve anembanë ku janë”, shprehet Gjoza