Sokol Cikalleshi po kalon një formë mjaft të mirë në kampionatin Turk në prag edhe të fillimit të eliminatoreve të Botërorit të cilat startojnë për Shqipërinë në transfertën e Andorrës. Në një intervistë për Top Channel, sulmuesi kuqezi analizon dy ndeshjet e para
“Duhet të kemi parasysh se ne gjithmonë problemin e kem ime skuadrat që janë nën nivelin tonë, prandaj Andorra është ajo ndeshje që ne duhet ta fitojmë patjetër, dhe presioni në këtë takim është i gjithi tek ne, ndërsa në ndeshjen me Anglinë nuk do të jetë presioni 100% tek ne edhe pse ne do të bëjmë lojën tonë dhe do të japim maksimumin”, tha Sokol Cikalleshi, futbollist i kombëtares.
Në këtë periudhë një formë shumë të mirë veç tij po kalojnë edhe sulmuesit e tjerë si Rei Manaj apo Armando Broja.
“E rëndësishme është që performancat tona individuale të jenë në shërbim të kombëtares kështu që mendoj se do të jetë luksi i trajnerit të zgjedhë për sulmin. Ne nuk e kemi pasur asnjëherë atë problem që po luan ky apo po luan ai, nëse do të luaj dikush tjetër në maj të sulmit do të jem unë i pari ai që do ta mbështes dhe e njëjta gjë do të ndodhi nëse do të luaj unë apo Manaj, apo Broja apo dikush tjetër”, tha futbollisti.
Ndërkohë çfarë ndodh me Koniasporin, skuadrën e tij e cila javën e shkuar me golin e Cikalleshit nuk mori dot pikët e plota.
“Kemi në fundjavë ndeshjen me Fenerbahcen që është në krye të tabelës, ndërkohë ekipi im është në mesin e tabelës por kampionati këtu me 2 humbje të con në zonën e ftohtë dhe me 2 fitore mund të kapësh Evropën”, tha ai.
Po cili është synimi i Cikalleshit për këtë sezon të tijin kur kanë mbetur edhe 13 ndeshje nga fundi i kampionatit.
“Unë kam shënuar 4 gola deri më tani dhe synoj që të arrij një shifër dyshifrore golash, rreth 10 gola e më sipër, nëse arrij atje do ta konsideroja këtë sezon timin shumë të mirë”, tha Cikalleshi.