Nga Artan Lame/ Sipas adetit, çdo vit në ditën e rikthimit që andej prej nga rrallë kthehet kush, ulem të shkruaj e flas me veten. Mirëpo, në vitin e dytë të pandemisë që po rrallon njerëzinë, të zësh e të flasësh për hallin tënd është ca meskine, ndaj edhe po i mbahem rrymës. S’ka ca ditë që ne shqiptarët “festuam” vitin e parë të pandemisë. Ca kombeve të tjera u ra kjo “festë” në shkurt e ca të tjerëve në janar, me në krye kinezët qe kjo festë makabre u ra që në dhjetor. Mirëpo pavarësisht kësaj, si me një gojë, të gjithë njëzëri që në 1 janar, teksa uronim njëri-tjetrin për Vitin e ri 2021, shanim e mallkonim vitin që shkoi, vitin 2020.

Nuk m allkohen vitet, se vitet janë dhuratë e Zotit a e Natyrës, si të duam. Nuk i bën Natyra vitet të mira a të liga, ajo veç na i dhuron t’i jetojmë në këtë botë që edhe atë na i ka dhuruar po ajo, Natyra. Dhe kur viti na del i keq, se ka luftë, përmbytje, tërmet, epidemi, a dreqi e di ç’tjetër e keqe, për këtë faji nuk është i Natyrës, por i joni, i banorëve njerëzorë të Tokës që, me arrogancën dhe makurëtinë tonë, kemi harruar se jemi veç një prej miliona specieve që e banojnë Globin e mrekullueshëm.

L u ftën nuk e sjell natyra, por ne njerëzit, që nuk gjejnë karar të rrojnë në paqë me njëri-tjetrin. Përmbytjet nuk i sjell natyra, por ne njerëzit, që i zëmë fytin lumejve dhe ndryshojmë klimën dhe pastaj na vjen keq kur del uji e na mbyt. Tërmetet… ah po, tërmetet i sjell natyra. Por tërmeti vetë nuk vret. Vrasin tullat e copat e betonit, që ne njerëzit vazhdojmë makutërisht t’i ngremë lart e më lart mbi kokë. Epidemia nuk përhapet dot po të mos prodhonim ne njerëzit lloj-lloj variacionesh gjenetike dhe të mos shtoheshim pa prajtur sa, duke qenë ngjitur e ngjitur, të mos bëjmë që viruset të përhapen rrufeshëm.

Shoqërinë e konsumit nuk e ka shpikur natyra, por ne njerëzit, që po presim pa mëshirë degën ku jemi ulur prej dyqind vjetësh. Natyra e pa programuar evolucionin e jetës së gjallë mbi një parim bazë, atë të kursimit të energjisë. Ky është ligj i natyrës, na pëlqen apo jo nuk ndryshon asgjë. Dhe pastaj çuditemi kur Natyra në dërgon sinjale me mënyrën e saj dhe na jep paralajmërime me gjuhën e saj. Ne kemi shpikur gjuhët tona, ndërsa Natyra ka gjuhën e saj të përjetshme që ne nuk po duam ta kuptojmë.

A nuk është çmenduri që çdo vit qindramilionë njerëz të lenë shtëpitë e tyre dhe të udhëtojnë mijëra kilomentra për të shkuar e për t’u ngrohur nëpër plazhe ekzotike?! Dhe e gjitha kjo duke i thithur tokës edhe pikën e fundit të naftës për t’i transportuar këto masa gjigande mishi njerëzor, veç për t’u zdërhallur në diell, miliona barqe e mishra anekënd plazheve të Globit. A nuk është marrëzi që të ngresh fruta egzotikë nga Amerika Latine, ti hipësh në avion ti sjellësh në Evropë, ti mbash në frigorifer që harxhon paprajtun amoniak dhe, e gjitha kjo, që t’ia vërë në tavolinë dashnores një halabak në një klub të Tiranës, Beogradit apo Athinës?! Dhe e gjitha kjo, duke djegur naftë që Natyrës i janë dashur miliona vjet për t’a prodhuar.

A nuk është çmenduri të mbështjellësh një hot dog me letër alumini, alumin që prodhohet duke hapur kariera gjigande në shkretëtirat e Australisë, nga nxirren male minerali që transportohen me trena kilometrikë, për t’u shkrirë në megafurrnalta që gllabërojnë miliona vat energji elektrike dhe pastaj për ta transportuar me anije gjigande çeliku që shpenzojnë 2 ton naftë në orë deri në Europë!? Në fund të gjithë këtij cikli konsumi të çmendur energjie, kjo bëhet që dikush të fusë në bark një copë bukë, që deri para 200 vjetësh thjesht do ta mbështillte me një gjethe rrushi. Diferenca e kostos në kuriz të Natyrës, midis letrës së aluminit dhe gjethes së rrushit është miliona herë!!! Do vinte një ditë që Natyra do të na i paraqiste llogarinë që duhet të paguajmë. Më ngjan se kjo ditë po vjen.

A nuk është marrëzi që ende të quajmë “zhvillim” mbulimin e tokës me beton, me parimin naivo-idiot që ndryshe “rri kot gjithë ky vend”. E kam dëgjuar në variante të ndryshme dhe gjuhë të ndryshme këtë frazë. A nuk është idiotësi që, me karburant që është dashur miliona vjet të krijohet dhe miliarda dollarë për ta nxjerrë, të lëvizet një makinë që peshon 2 ton për të spostuar një trup mishi që peshon 100 kg që do të shkojë nga pika A më Pikën B, ku është një palestër ku ky njeriu kalon 2 orë në biçikletë për të ulur mbipeshën, mbipeshë që nuk do ta kishte po të ecte në këmbë!

A nuk marrëzi e trishtueshme kur gazetarët e quajnë zgjidhje të madhe faktin që disa ndërmarrje në Itali që më parë prodhonin për turizmin, tani me shpejtësi ja dolën të konvertohen në prodhuese maskash! Pra njerëzit nuk mbeten pa punë, sepse tani do të prodhojnë maska! Ashtu si dikur prodhoheshin luftra për të mos lënë pa punë punëtorët e fabrikave të municionit. Florida është një tokë kënetore e një ekosistemi të krijuar prej miliona vjetësh dhe është një prekulli e universit se si qëndron në ekujlibër prej miliona vjetësh pa u ndryshuar. Tani shkojmë ne dhe e mbushim me vila pensionistësh dhe dashnorësh pasunarë që pastaj përballen me problemin e aligatorëve që ju prishin qetësinë duke bërë atë që kanë bërë për miliona vjet, të përpiqen të vijnë vërdallë aty ku kanë qenë që kur ende ishin dinosaurët. Zgjidhja: çdo vit vriten me plumb kokës mijëra aligatorë, që pensionistët të vazhdojnë të pensionojnë dhe dashnorët të seksojnë në qetësi. Dhe pastaj pretendojmë që Natyra të mos mbajë shënim!

Kaq të pamundur e kemi të kuptojmë që jemi shumë 7,5 miliardë për një glob mbi të cilin e filluam ecjen si një specie e papërfillshme prej vetëm disa mijëra individësh. Të paaftë të gjejmë rrugëdaljen, përpiqemi thjesht t’ia kalojmë hallin brezit tjetër dhe ndërkaq me infantilitet mundohemi të ngremë teori komploti se dikush me qëllim po na i hedh mbi kurriz pandemitë. Eh, tani po vjen ai momenti ku zakonisht fillojnë akuzat se, kush e mejton si unë qënkësh kundër zhvillimit, se jam e ç’nuk jam, ndaj po e le me kaq. Unë po e le me kaq, por halli mbeti ama!