Kryetari i Partisë Socialiste në Tiranë dhe bashkëdrejtues politik i qarkut Tiranë, Ervin Bushati deklaroi sot se “lista e PS është e socialistëve, ndryshe nga lista e PD që nuk është e demokratëve”. “Pra ne nuk kemi asnjë qokë politike, nuk kemi asnjëri për të mbajtur dhe gjithçka është në funksion të fitores”, tha Bushati, i cili renditet i treti në listën e PS në qarkun e Tiranës.

Bushati theksoi se, “ne nuk e kemi stresin e humbjes”. “Po të shikosh në listën e PD dhe shikohet më mirë në kryeqytet se është zona më e madhe elektorale, qarku me 36 deputetë, ku duhet dhe të ishin figurat më të spikatura dhe shikon për shembull se nuk dua të merrem me listën e PD, por në fund të ditës duhet ta krahasojmë me diçka në Shqipëri se nuk jemi në eter. Dhe shikon që nuk ka asnjë risi, dhe shumica e tyre janë kryetarë të partive fantazëm të cilët duan një vend të sigurt dhe nuk kanë sjellë asnjë risi. Dhe nuk ishte asnjë nga figurat që u promovuan dhe u thanë që do ishin”, u shpreh Bushati.

Lidhur me taktikën elektorale të PS, Bushati tha se, “lista e ka ridimensionuar strategjinë e partisë, por dhe të gjithsecilit në raport me votën”. “Nëse më përpara të ishe në një vend të sigurt, ishe i sigurt, dhe nëse do të ishe në një vend humbës, ishe në një vend humbës dhe dukeshe pak i demotivuar në të dyja rastet, ky ka sjellë një motivim të madh të paktën, në një ekip që është konceptuar për ekip fitues dhe të gjithë janë vënë në lëvizje. Sot jemi në ditën e tretë që kur ka dalë listat dhe po shohim një ndryshim shumë të shpejtë progresiv të mentalitetit të të bërit fushatë”, tha ai.

I pyetur sesi e pritën ata që nuk u përfshinë në lista Bushati tha se, “është besimi apo siguria në strategjinë dhe në ekipin tonë. Njerëzit, ata që besojnë, janë të qetë, janë të motivuar”. “Ne mendojmë si ekip fitues. Të gjithë që janë sot në tavolinën e PS, do jenë nesër në pozicione të PS-së. E dyta është perspektiva jonë. Ne e kemi të sigurt fitoren, sipas organizmit, llogarisë tonë dhe mbështetjes që do na japin qytetarët shqiptarë. Dhe një ekip i tillë ndihet shumë i qetë. Një ekip që e ndjen që kur je jashtë liste je jashtë politike dhe bëhesh pjesë e të kaluarës patjetër që fillon dhe rebelohesh, apo ndihesh i pasigurt”, tha Bushati.“Ne kemi një kontratë me njëri-tjetrin, që ka qenë gjithmonë e respektueshme dhe e respektuar. Pra  nuk është thënë që do jesh në listë pastaj nuk je, apo nuk kemi nisur një proces që janë mbledhur 4500 dosje që garuan të gjithë, u votuan nga baza dhe sot asnjë nga ata nuk është në listën e deputetëve. Parti të mëdha të tjera, kanë bërë një garë demokratike, ku kanë kandiduar 4500 njerëz, janë votuar nga baza. Dhe sot të gjithë ata që janë votuar, asnjëri nuk është në listë fituese”, u shpreh Bushati.

I pyetur për sondazhet, Bushati tha se, “po të shikojmë shifrat kuptojmë që PS është në të njëjtin pozicion”. “Ajo që mendoj unë që po ndodh në dinamika brenda opozitës është që parti të vogla, të cilat deri dje ose sot, në nervozizmin e tyre e tregojnë që janë drejt shpërbërjes, njerëzit fillojnë kërcejnë brenda të njëjtës opozitë. Pra ka pasur një simbiozë të çuditshme mes PD dhe LSI ku votues të PD shkuan tek LSI-ja për arsye personale dhe sot do të rikthehen tek PD-ja se e shikojnë që po kërcejnë nga anija e mbytur që është LSI-ja. Dhe po ta shohësh sa rritet PD-ja aq bie LSI-ja, sa shkrihet LSI-ja aq shtohet PD-ja”. komentoi ai. “Evolucioni politik elektoral Shqipërinë do ta çojë drejt dy partive dhe këtë nuk e shpëton dot asgjë. Kam përshtypjen që kështu po ravijëzohet. Qytetarët shqiptarë janë shumë pragmatistë dhe kjo duhet respektuar. Jemi një komb që kemi ditur të zgjedhim dhe mos biem pre e populizmit e partive të vogla, apo e këtyre shkëputjeve”, tha Bushati.