Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico deklaroi sot se shifrat e infektimeve nga COVID-19 kanë rënie, por nuk janë në ato nivele për të lehtësuar masat.
“Ne monitorojmë në mënyrë të vazhdueshme situatën në vend. Incidenca 2-javore për periudhën 10-23 mars ka një zbritje nga 418 në 268 për 100 mijë banorë. Pozitiviteti i mostrës ka rënë. Mesatarja ditore e rasteve pozitive është ulur nga 654 në 532”, tha Fico.
Po ashtu, Fico tha se “numri total i rasteve aktive ka pësuar ulje nga 33 553 në 33 194.
“Numri i bashkive të prekura deri në datën 22 mars ka rënë nga 37 në 34. Gjithmonë mbetet raporti meshkuj-femra i infeksionit 52 me 48 me fatalitete në grupin e meshkujve”, tha ajo.
Drejtoresha e ISHP-së theksoi se “numri mesatar i të shtruarve në spital ka rënë në 394, nga 466”.
“Edhe pse kemi vazhduar me vaksinimin duhet ta kemi të qartë që indikatorët nuk janë ulur në një mënyrë drastike për të marrë masa të një karakteri tjetër. Edhe harta e Europës tregon për një rritje të numrave, prandaj doja të apeloja për qytetarët që të mbajnë maskën, distancimin, respektimi i rregullave dhe masave të ndërmarra, dhe nga ana tjetër të mos harrojmë”, tha Fico.
Fico tha se nuk do të bëhet ndonjë alternim i llojeve të ndryshme të vaksinave për sa i përket administrimit të dy dozave.
“Ka disa përpjekje ‘AstraZeneca’ me ‘Sputnik’, por këto janë në faza preeliminare dhe për sa kohë, ne nuk kemi nga komuniteti shkencor. Mbetemi rigorozisht në ato udhëzues me të cilat vijnë vaksinat edhe në Shqipëri”, tha Fico.