Këtë të hënë, PD dhe LSI firmosën marrëveshjen e koalicionit për zgjedhjet e 25 prillit. Marrëveshja u firmos nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi. Ajo që ra në sy ishte se marrëveshja e koalicionit të djathtë nuk u firmos në asnjë prej selive të dy partive, por në një nga hotelet më luksoze në kryeqytet.
Edhe pse gjatë këtyre 8 viteve të opozitës Lulzim Basha ka sulmuar hotelet dhe ato që ai i quan kulla, si për ironi koalicionin me Kryemadhin për të ardhur në pushtet e ngriti në një prej kullave që ka sulmuar vetë, sikurse është Plaza në kryeqytet. Por ky nuk është rasti i vetëm kur Lulzim Basha ndërron mendje për kullat dhe ndërpret sulmet ndaj atyre që ndërtojnë. E tillë ishte dhe protesta tek zona e Astirit ku fillimisht Basha nisi një sulm të ashpër ndaj një prej firmave, por që u la në mes sapo mori një automjet dhe më pas edhe një vilë në një nga resortet më luksoze në periferi të Tiranës, “Long Hill”. Një rast i ngjashëm është dhe protesta e Rrugës së Kombit e cila pësoi të njëjtin fat, “tradhtinë” e Bashës sapo familjarë të tij morën zyrat tek Sheratoni.