Drejtuesi i fushatës së PD-së në Tiranë, Alfred Rushaj ka komentuar përfshirjen në listat e PS-së të shefes së spitalit Infektiv Najda Çomo dhe inxhinieres Luljeta Bozo. Rushaj tha se emrat janë propagandë dhe makijazh, ndërkohë që qytetarët kërkojnë të largojnë kryeministrin.

“Partia Demokratike ka nisur një proces serioz për një listë dinjitoze. Emrat e kryeministrit i shikoj si propagandë dhe makijazh, sa herë që ndodhet në vështirësi. Një njeri merr vendimet dhe ky është kryeministri Edi Rama. Tetë vjet të mbushura me dështime nuk mund të tejkalohen me një individ. Nëse merr edhe kirurgun më të mirë, i ke hequr mjekësisë një njeri me rëndësi me qëllim që të rregullosh fytyrën tënde. Ne e dimë se Rama ka shkatërruar shëndetësinë. Shqiptarët nuk gënjehen me truke e makijazhe. Shqiptarët do vendosin për të ndryshuar kryeministrin”-tha Rushaj.