Të paktën 30 mijë persona u infektuan dhe mes tyre 700 humbën jetën pas ekspozimit në turmat që ndoqën fushatën e presidentit Trump nga 17 gushti në 26 shtator 2020. Kjo është një e dhënë e përafërt, e llogaritur nga një prej revistave më prestigjioze në botë, “Forbes”, pas analizimit të të dhënave të trendit rritës dhe mendimit të ekspertëve pas 18 takimeve elektorale të ndodhura në këtë periudhë. https://www.forbes.com/sites/brucelee/2020/11/01/study-trump-rallies-linked-to-over-700-covid-19-coronavirus-deaths-here-are-the-caveats/?sh=707ad96f6064
Nëse kjo llogaritje zgjerohet në disa muaj të fushatës së ish-Presidentit Trump, atëherë rezultati rritet në qindra mijëra infektime dhe disa mijëra fatalitete. Po në Shqipëri? Cila është kosto shëndetësore e tubimeve të organizuara nga Partia Demokratike, si shfaqja e regjistruar ditën e djeshme në sheshin “Nënë Tereza” me rastin e hapjes së fushatës?
Është pothuajse e pamundur të nxirret një e dhënë konkrete. Ajo që dihet është që në Shqipëri janë të paktën 45 mijë të infektuar aktivë, por këta janë vetëm ata që janë testuar dhe janë konfirmuar si pozitivë. Sipas të dhënave të OBSH, shifra e personave aktivë mund të jetë deri katër herë më e lartë, por në çdo rast, është më e lartë se 45 mijë aktivët që njohim.
Ka edhe një element tjetër rëndues. Në kohën e fushatës së Presidentit Trump, ende nuk kishte mutacione si ai anglezi apo braziliani, që e bëjnë Covid-19 shumë më ngjitës se më parë. Sidoqoftë, një tjetër e dhënë e sigurt është se dje midis pjesëmarrësve në tubimin e PD ka pasur jo një, as dy, por të paktën disa dhjetëra të infektuar, që me siguri absolute matematikore ia kanë ngjitur virusin të paktën disa dhjetëra personave të tjerë.
Pa hyrë në fushën e spekulimit, të japësh një numër të saktë është e pamundur. Por, duke zhvilluar një raport të drejtë midis rasteve të konfirmuara në SHBA si rrjedhojë e fushatës dhe rasteve që mund të verifikohen në Shqipëri, duke pjestuar numrin e të prekurve atje me raportin e popullsisë midis dy vendeve, mund të arrihet në një shifër pa dyshim jo të verifikuar, por që jep një ide për situatën në Shqipëri. Sipas kësaj përllogaritje, në tubimet e organizuara gjatë muajit të fundit, nga Kavaja, në Elbasan e më e madhja dje në Tiranë, mund të jenë infektuar potencialisht 3 mijë persona. Me një mesatare fataliteti 3 për 100, ku për grupmoshat e reja është shumë më e ulët dhe për grupmoshat më të larta është më e lartë, tubimet e PD gjatë muajit të fundit mund t’i kushtojnë jetën mesatarisht 90 qytetarëve.
Kuptohet, mund të jenë më pak ose më shumë, por një gjë është matematikisht e sigurtë: Janë të paktën disa dhjetëra, pjesëmarrës, familjarë, miq apo të pafajshëm që kanë fatin e keq të jenë pranë një të infektuari në rrugë apo kafene, që do të humbin jetën për shkak të krijimit të kësaj vatre të re infeksioni.