“Dosja e Gërdecit, test për sistemin e drejtësisë në Shqipëri”, shkruante një vit pas ngjarjes, në 23 korrik 2009, “Deutsche Welle” në shqip. “Seanca e sotme pritet të njohë 29 të pandehurit e çështjes me akuzat e ekipit të prokurorëve”. 13 vjet më vonë mund të konfirmojmë. Gjykata dështoi në testin e saj në mënyrë spektakolare.

Pas një gjyqi që zgjati katër vjet, gjykata në mars të 2012-s arriti në një konkluzion që në atë kohë habiti këdo duke dënuar vetëm 4 nga 29 të pandehurit me burg, me 25 të tjerët të lënë të lirë ose burgime të konvertuara në liri me kusht. Dënimin më të rëndë e morën Ylli Pinari, ish-shef i kompanisë shtetërore të tregtimit të armatimit dhe Dritan Minxholli, administrator i kompanisë që kryente demontimin e armëve dhe lëndëve luftarake, me 18 vite heqje të lirisë secili. 10 vite burg gjykata ka dhënë për Mihal Delijorgjin, ndërkohë që për ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare, Luan Hoxha vetëm 6 vjet. Apeli i uli edhe më tej dënimet. Pinari 15 vjet, Minxholli 12 vjet, Delijorgji 7.5 vjet dhe Hoxha 5 vjet. Prokuroria kishte kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për tre të parët, por jo vetëm që nuk u dha ky dënim, por edhe nga dënimi i reduktuar u zbrit shumica e dënimit. Delijorgji u lirua në 2013, një vit pas marrjes së vendimit. Në 2014 lirohet Ylli Pinari, dy vite pas dënimit të formës së prerë me 15 vjet. Në 2015 lirohet edhe Dritan Minxholli për sjellje të mirë. Luan Hoxha, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm fitoi azil politik në SHBA.

Megjithatë, skandali më i madh nuk ishte lënia e lirë e personave të përfshirë në këtë skandal shtetëror, por fakti që Prokuroria e Përgjithshme, asnjëherë nuk hetoi për përgjegjësinë penale të Kryeministrit dhe Ministrit të tij të Mbrojtjes, përkatësi Sali Berishës dhe Fatmir Mediut, që sot 13 vjet më pas janë sërish në lista fikse për deputetë në Tiranë. Ditën e asaj ngjarjeje makabër, Sali Berisha në konferencën e shtypit që organizoi me këtë rast arriti deri atje sa të deklaronte se nuk njihte baxhanakun e tij, që në fabrikën e vdekjes kryente detyrën e shefit të cilësisë, se ngjarja ndodhi nga një “difekt teknik”, etj. Në vijim, Berisha u angazhua për të penguar hetimin e thelluar të ngjarjes. Për të ushtruar presion mbi prokurorët dhe gjyqtarët aprovoi në Kuvend ligjin për hapjen e dosjeve, gurë të cilin e mbante fortë në dorë për ta përdorur kur ia kërkonte interesi i tij për të goditur kundërshtarët politikë.

Në një kabllogram të dërguar nga ambasada Amerikane në Tiranë për Departamentin Amerikan të Shtetit thuhet: “Që nga aprovimi i ligjit, prokurori i përfshirë në hetim për ngjarjen dha dorëheqjen duke u shprehur se, “Po jap dorëheqjen për të mos politizuar zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të vendit”.
Kjo mund të ishte edhe rastësi, por dy ditë më parë se Shtylla të jepte dorëheqjen, asistenti politik i ambasadës amerikane kishte parë vëllain e prokurorit Shtylla duke drekuar me sekserin e punëve të pista të kryeministrit Berisha, pronarin e gazetës së krahut të djathtë “55”.

Prokurori Shtylla pasi dha dorëheqjen u transferua prokuror i thjeshtë në prokurorin e Elbasanit.
Mafia qeveritare ishte e përfshirë në trafikimin e armëve. Në atë kohë zhvilloheshin luftime në Afganistan. Forcat amerikanë që merrnin pjesë në këto luftime kërkonte municion, po ky të mos ishte prodhim kinez, pasi Kina ishte nën embargon amerikane për ngjarjen në Sheshin Tian-Men, ku u vranë nga qeveria dhjetra studentë që kërkuan ndryshimin e sistemit.

Qeveria “Berisha” për t’iu shmangur këtij fakti porositi që të bëhej falsifikimi i nevojshëm. Kështu u ndryshua paketimi nga kuti metalike në kuti kartoni. Këtë ripaketim e mori përsipër Kosta Trebicka, i cili angazhoi 100 punëtorë të firmës së tij “Xhoi”.

Por, Trebickës i lindi dyshimi se përse do të bëhej kjo punë e dyfishtë. Ai ndërmori një udhëtim në Uashington për t’u takuar me avokatët e tij për të diskutuar për këtë çështje. Kur kthehet në Shqipëri ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu e largoi nga kjo punë, pasi ia kaloi shokut të Shkëlzen Berishës, si njeri më i besueshëm.
Kosta Trebicka ia hoqi petat lakrorit. Në një televizion kombëtar, ai bëri llogaritë se sa fitonte mafia në pushtet në trafikimin e armëve dhe sa fitonin të tjerët të lidhur njeri pas tjetrit në zinxhirin e mafias. Çështja u hap për opinionin, po kjo solli pasoja për Trebickën.
Ai po e shikonte se qeveria mund të hakmerrej ndaj tij, prandaj vendosi t’i harronte ato që kishin ndodhur. Ai kishte akoma disa biznese të suksesshme, kishte gruan dhe fëmijët në rregull, po çdo ditë merrte kërcënime në telefonin e tij, sa ishte i detyruar që numrin ta ndërronte disa herë. Nga ky moment, ai po e kuptonte se i kishte ditët e numëruara në këtë jetë.
Një ditë të bukur, Kosta shkon për gjueti në një fshat të Korçës, ku papritur gjeti vdekjen. Nuk u kuptua se si, në një rrugë të drejtë, makina në pronësi të tij i kërcen mbi trup duke e lënë të vdekur.

Ky u trajtua si aksident rrugor, duke folur edhe në emër të një eksperti amerikan. Por gazeta prestigjioze “New York Times” shkroi një artikull duke theksuar se deklarata e ekspertit amerikan ishte manipuluar, pasi ai deklaron se Trebicka kishte marrë një plumb në pjesën e parë të kokës. Për gazetën që publikoi artikullin, Berisha deklaroi se ajo është një letër higjienike.
Në tetor të vitit 2016, duke iu drejtuar shumicës, doktori në diskutimin e tij në Kuvend theksoi se “Gërdeci duhet shpallur vrasje shtetërore, por ju jeni të pandërgjegjshëm që ta bëni këtë. Ne bëmë gjithçka për t’i kompensuar familjet e dëmtuara, por të vrarët nuk i kompenson dot. Kompania mbikqyrëse ishte një kompani shtetërore. Që këtu është përfshirja e tyre në vrasje shtetërore pa dashje. Po në këtë rast lind pyetja, përse qeveria e tij nuk e shpalli tragjedinë ashtu siç ishte, shtetërore, po duhej ta shpallte qeveria “Rama” 8 vjet më vonë!? Ai derdhi aq shumë para në këtë fshat për të blerë edhe votat në zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut 2009, sa kush e dëgjoi këtë lajm nga KQZ mbeti i habitur. Sa herë diskutohet në Kuvend çështja e Gërdecit apo çështje të lidhura me trafikun e armëve, Berisha revoltohet, ngre zërin, shan. Gërdeci ishte një krim shtetëror, si i tillë shteti duhej t’u paguante jetën atyre që vdiqën dhe t’u siguronte të ardhura të domosdoshme për të jetuar në kushte normale pjestarëve të tjerë të mbetur gjallë. Për këtë arsye, ai nuk e zuri në gojë këtë çështje sa ishte në krye të qeverisë. Për Gërdecin janë shkruar shumë artikuj, libra, janë xhiruar filma. Pra nuk është heshtur, ajo që ka heshtur është drejtësia shqiptare, e cila është fajtore para opinionit mbarë kombëtar.