Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha mbrëmjen e së premtes se, me plotësimin e BKH-së që pritet të përfundojë ngritjen deri në qershor të këtij viti, do të ketë mundësi SPAK të ketë të gjithë mekanizmat që të krijojë një track-record të mirë.
E pyetur në emisionin “Java në RTSH” për ecurinë e reformës në drejtësi, Gjonaj tha se, “reforma në drejtësi ende nuk konsiderohet e përmbyllur, pasi presim që të konkretizohen disa rezultate që lidhen me pjesën e efektshmërisë së sistemit të drejtësisë. Patjetër që është, po citoj kryeministrin, “kryefjala e të gjithë programit poltik të PS”. Dhe reforma në drejtësi ka qenë një nevojë e pashmangshme, një iniciativë e vështirë, është një reformë historike, padyshim e nxitur dhe hartuar edhe e mbështetur nga PS gjatë zbatimit të saj, për të pastruar një sistem të kalbur, i cili prej 25 vitesh kishte në fokus pabarazinë dhe pandëshkueshmërinë”.
“Unë besoj që ndarja këtu është fare e qartë. Të gjithë qytetarët njohin vullnetin politik, njohin kontributin e njerëzve që punuan për të ideuar reformën, njohin rezultatet që po vijnë ditë pas dite nga zbatimi i reformës. Dhe s’ka si të mos jetë një ndarje e pastër midis reformës në drejtësi dhe atyre që e kanë sulmuar dhe goditur reformën, kur qytetarët shohin më shumë se gjysmën e qytetarëve dhe prokurorëve të korruptuar që largohen nga sistemi. Kur shohin që SPAK po jep rezultatet e para, duke goditur edhe vetë hallkat e sistemit të drejtësisë. Kur Gjykata Kushtetuese ka plotësuar tashmë kuorumin e saj. Kur për Gjykatën e Lartë po bëhen përpjekjet maksimale që të plotësohet me numrin e nevojshëm. Patjetër që edhe qytetarët e bëjnë qartësisht ndarjen dhe zgjedhin atë parti e cila ka patur vullnetin dhe ka punuar fort për zbatimin e reformës në drejtësi”, tha Gjonaj.
“Aktualisht të gjithë e dimë që kjo është një reformë që pati shumë vështirësi, shumë vonesa edhe në ngritjen e instituconeve të reja të drejtësië, por njëkohësisht e mbajmë mend të gjithë të gjitha diskutimet, përpjekjet për ta miratuar të gjithë paketën, ndryshimet kushtetuese dhe paketën e reformës në drejtësi. Jemi koshientë që vërtet reforma në drejtësi nuk ka arritur të gjithë rezultatet që presim, por sidomos ato që afektojnë njerëzit në mënyrë të drejtpërdrejtë, që lidhen pjesën e proceseve të drejta gjyqësore, të pakorruptuara. Por nga ana tjetër jemi të vetëdijshëm që kjo reformë nuk mund të zhbëhet, pasi jo vetëm që, ka një mbështetje të jashtëzakonshme nga partnerët ndërkombëtarë, por patjetër që ka pasur një dëshirë që në momentin që është inicuar nga qytetarët. Ka pasur një vullnet nga njerëzit që të konsolidohet shteti i së drejtës, duke pasur një sistem të ri të drejtësisë. Deklarimet e opozitës për reformën në drejtësi besoj që janë për të zhbërë reformën apo absolutisht për të dashur për ta kthyer në pikën zero në momentin më të parë. Dhe ndërkohë nga ana tjetër reforma në drëjtësi nuk ka qenë kurrë pjesë e programit të opozitës”, theksoi Gjonaj.
“Dhe qytetarët e kanë të qartë, e dinë kush mbolli mungesën e profesionalizmit në gjykata dhe prokurori? Kush bëri që të lulëzonte korrupsioni në gjykata dhe prokurori? Apo kush instaloi sistemin e pastër të influencës politike me emërime politike që bëheshin nga KLD?”, tha Gjonaj për ‘Java në RTSH’.
Në lidhje me luftën kundër pandëshkueshmërisë në sferat e larta, Gjonaj tha se, “SPAK tashmë ka vetëm një vit që funksionon dhe padyshim nuk funskionon i plotë sepse ende nuk është ngritur BKH me të gjithë pjesën e hetuesve, policëve gjyqësore apo edhe pjesën tjetër administratvie, që do të ndihmojë për të hetuar të gjitha çështjet që lidhen me krimin e organizuar apo luftën kundër korrupsionit. Pavarësisht kësaj SPAK ka arritur të ketë disa raste suksesi. Nuk them që janë ato të cilat të gjithë presin. Pra kemi pritshmëri si ne, si qytetarët, si partnerët të cilët e kanë mbështetur dhe e kanë ndjekur reformën nga afër. Por edhe vetë goditja e disa raste, siç ka qenë rasti i gjyqtares, mjekut apo dhe raste të tjera, sidomos ato çështje që presin për t’u hetuar për gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët nuk kanë kaluar procesin e vettingut, janë besoj një rrugë e mirë për të vendosur disa rekorde shumë të mira me ato çfarë duhet të ketë SPAK”.
Gjonaj theksoi se, “besoj se dhe me plotësimin e BKH-së që pritet të përfundojë deri në qershor të këtij viti, do të ketë mundësi SPAK të ketë të gjithë mekanizmat që të krijojë një track record të mirë”.
“Tashmë pothuajse është në fazën finale kur BKH është po përfundon procesin e verifikimit të atyre që do të jenë hetues të BKH-së. Dhe besoj shumë shpejt edhe me këto ndryshime janë pjesë e paketës që janë depozituar në Kuvend, ku janë përcaktuar edhe pagat e drejtorit të BKH-së, por dhe hetuesve dhe pjesës tjetër administrative besoj se do të jetë i gjithë procesi i përfunduar deri në qershor”, tha Gjonaj .