Presidenti çek, Milos Zeman i shkroi një letër homologut të tij kinez, Xi Jinping, ku i kërkon që vendi i tij të furnizohet me vaksinën kineze antiCovid-19, Sinopharm. Sipas ambasadës çeke në Pekin, Kina vendosi të “veprojë menjëherë”. Deri tani, Hungaria është i vetmi shtet i BE-së që ka filluar vaksinimin me vaksinën kineze Sinopharm.
Kjo vaksinë ende nuk është aprovuar nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA). Zeman i bëri një thirrje të ngjashme edhe Rusisë, që ka zhvilluar vaksinën e saj, Sputnik V. Republika Çeke po lufton me një valë të madhe të rasteve të koronavirusit pavarësisht nga një bllokim i rreptë.
Shumë spitale janë në alarm pasi mungojnë mjekët dhe personeli i infermierëve. Vendi me 10,7 milionë banorë ka administruar rreth 702 000 doza vaksinash nga BioNTech/Pfizer, Moderna dhe AstraZeneca. Që nga fillimi i pandemisë, ajo ka regjistruar më shumë se 1,2 milionë infeksione me koronavirus dhe 20 941 vdekje./ATSH