Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili ka marrë vaksinën AstraZeneca kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency. Zourabichvili, e cila shkoi në Spitalin e Infeksionit në Tbilisi për t’u vaksinuar kundër COVID-19, mori vaksinën AstraZeneca, vaksinë të cilën disa vende në botë e pezulluan përkohësisht.
Duke kujtuar se në vend së pari filloi vaksinimi i punonjësve të kujdesit shëndetësor, ajo tha se “Qytetarët duhet të vaksinohen në mënyrë që të kapërcejmë si problemet ekonomike ashtu edhe problemet e tjera të shkaktuara nga pandemia e COVID-19”.
“Nëse OBSH vendos, ne do të ndalojmë përdorimin e vaksinës AstraZeneca” Në fazën e parë, më 13 mars Gjeorgjia bleu 43.200 doza të vaksinës AstraZeneca dhe si pjesë e luftës kundër COVID-19 më 15 mars filloi vaksinimi i punonjësve të kujdesit shëndetësor.
Ministrja për Personat e Zhvendosur, Punës, Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale në Territoret e okupuara, Ekaterine Tikaradze lidhur me pezullimin e përkohshëm të vaksinës AstraZeneca në shumë vende të botës tha se në vendin e saj kanë ardhur vaksina cilësore. Ajo theksoi se janë duke mbajtur kontakte të ngushta me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për vaksinat dhe se do të zbatojnë vendimin nëse përdorimi i vaksinës AstraZeneca ndalohet në të gjithë botën.